Parimi Kushtetues i laicitetit dhe nutralitetit të shtetit në vendimmarrjen arsimore
Shkruan: Akademik Arsim Bajrami
Nga këndvështrimi ligjor dhe kushtetues, vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për riorganizimin e orarit mësimor, i arsyetuar zyrtarisht me fillimin e muajit të Ramazanit, është problematik sepse cenon parimin e laicitetit dhe neutralitetit fetar të shtetit. Kushtetuta e Republikës së Kosovës e përcakton qartë karakterin laik të shtetit dhe ndarjen e tij nga feja. Neni 8 i Kushtetutës sanksionon se “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështjet e besimeve fetare”, duke vendosur një standard të qartë për veprimin e të gjitha institucioneve publike.
Po ashtu, neni 38 i Kushtetutës garanton lirinë e besimit, ndërgjegjes dhe fesë si e drejtë individuale, duke përfshirë të drejtën për ta praktikuar fenë ose për të mos e praktikuar atë. Megjithatë, kjo e drejtë nuk krijon detyrim kushtetues për institucionet publike që të organizojnë veprimtarinë e tyre mbi baza fetare. Përkundrazi, detyrimi i institucioneve është të sigurojnë barazi dhe mosdiskriminim për të gjithë, pavarësisht bindjeve fetare, në përputhje edhe me parimin e barazisë para ligjit.
Në fushën e arsimit publik, vendimmarrja duhet të mbështetet në kritere objektive pedagogjike dhe administrative. Kur arsyeja formale e një vendimi institucional lidhet drejtpërdrejt me një praktikë fetare, krijohet një precedent i rrezikshëm kushtetues, sepse feja shndërrohet në referencë normative për organizimin e jetës publike. Kjo cenon neutralitetin e shtetit dhe e largon arsimin publik nga baza e tij universale dhe laike.
Mirëkuptimi për nxënësit që agjërojnë është i lejueshëm dhe i arsyeshëm vetëm në formë masash individuale dhe pedagogjikisht të justifikuara, pa e institucionalizuar fenë si shkak formal të vendimeve administrative. Çdo qasje tjetër rrezikon politizimin simbolik të fesë dhe dobësimin e standardit kushtetues të shtetit laik.
Prandaj, kjo çështje nuk është anti-fetare, por thelbësisht kushtetuese: ka të bëjë me respektimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me ruajtjen e neutralitetit të institucioneve publike dhe me garantimin e një arsimi publik të barabartë, racional dhe të çliruar nga referencat fetare në vendimmarrje.



