Koloneli amerikan: Tërheqja e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë
Koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, ka bërë me dije se një ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri.
Duke e komentuar shkrimin e gaztës Politico, i cili flet për mundësinë e reduktimit të trupave amerikane në kuadër të KFOR-it, ai ka thënë se kjo mund të këtë pasoja.
Në një intervistë për REL, ai ka thënë se tërheqja e papritur e trupave amerikane do të shkaktonte pasiguri në Kosovë.
“Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave të tjera aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri. Duhet gjithmonë ta kemi parasysh se si duket një ndryshim radikal i dislokimit të forcave, dhe mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike, të orkestruar nga Amerika në Afganistan, në vitin 2021. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se edhe në vitin 2023, paramilitarët serbë sulmuan forcat policore të Kosovës. Historikisht, nuk duhet të harrojmë kurrë se paqëndrueshmëria në Ballkan çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore dhe në vdekjen e 20 milionë njerëzve në gjithë Evropën”, ka thënë ai.
Ai ka treguar për planet që ka pasur NATO në Kosovë.
“Është e rëndësishme të kujtojmë se plani i NATO-s gjithmonë ka qenë që, me kalimin e kohës, të bëhet një reduktim në faza i forcave në Kosovë (përfshirë edhe ato amerikane). Por, ky plan duhet të bazohet në sigurimin e kushteve të duhura të sigurisë, para se të zvogëlohen trupat. Nëse SHBA-ja sinjalizon se po redukton praninë e saj, atëherë aleatët evropianë duhet të mendojnë se si t’i mbushin boshllëqet, duke u siguruar që çdo tërheqje e përgjithshme të bëhet vetëm kur të plotësohen kushtet e sigurisë. Një reduktim i madh i trupave amerikane në KFOR do të ndikonte më shumë në aftësinë për të parandaluar krizat dhe për të reaguar shpejt ndaj tyre, sesa në sigurinë e përditshme”, ka deklaruar ai.
Më tej, ai ka treguar për efektet që mund të ketë në kuadër të KFOR-it zvogëlimi i trupave amerikane.
“Nëse shkurtimet amerikane përfshijnë kapacitete të rëndësishme si: zbulimi dhe mbikëqyrja, aviacioni dhe evakuimi mjekësor, transporti apo personeli komandues, atëherë KFOR-i mund të jetë më i ngadalshëm në zbulimin e rreziqeve, në marrjen e vendimeve dhe në dërgimin e forcave në rast të një krize të papritur, veçanërisht në zonat e ndjeshme. Kjo mund të krijojë një periudhë të brishtë gjatë tranzicionit, të cilën aktorë destabilizues mund të përpiqen ta testojnë. Edhe nëse vendet evropiane e kompensojnë këtë mungesë, ndryshimet në paralajmërime dhe në rregullat kombëtare të angazhimit mund të bëjnë që reagimi të duket më pak i shpejtë dhe më pak i vendosur”, është shprehur ai.
Sipas tij, tërheqjen e mundshme e trupave amerikane mund ta shfrytezojë Rusia dhe Kina.
“Po. Tërheqja e trupave amerikane nga Kosova mund të krijojë mundësi për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, në të gjitha fushat – politike, informative, ushtarake dhe ekonomike. Duhet ta kemi parasysh se Rusia dhe Kina janë furnizuese armësh dhe zhvillojnë trajnime me forcat e armatosura serbe. Rusia, natyrisht, është një mbështetëse kryesore politike e Serbisë”, ka thënë ai.



