Kosovë – Shqipëri – Maqedoni e Veriut: Theksohet roli i shoqërisë civile në përparimin e agjendës së integrimit evropian

23 shkurt 2026 | 14:47

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në bashkëpunim me CSDG – Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe Center for Investigative Journalism SCOOP-Macedonia, ka mbajtur në Tiranë një takim rajonal me përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë dhe institucione publike nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku u diskutuan përvojat dhe sfidat në avancimin e vendeve tona drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Gjatë këtij takimi u diskutua për Grupin e Parë të Kapitujve Negociues të BE-së (Grupkapitulli 1), i cili përfshin: Kapitulli 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; Kapitulli 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria; Kapitulli 5 – Prokurimi Publik; Kapitulli 18 – Statistikat; Kapitulli 32 – Kontrolli Financiar.

Në diskutim u trajtuan përvojat e Shqipërisë në përmbushjen e obligimeve që lidhen me Grupkapitullin 1, praktikat e mira dhe mësimet që mund të shërbejnë për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

U diskutuan gjithashtu sfidat e përbashkëta rajonale, boshllëqet ekzistuese dhe mundësitë për bashkëpunim dhe mësim të ndërsjellë.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e angazhimit shumëpalësh dhe dialogut të bazuar në fakte, si dhe rolin kyç të shoqërisë civile në shtyrjen përpara të agjendës së integrimit evropian.

U nënvizua se progresi në këtë grupkapitull kërkon punë të qëndrueshme teknike dhe vullnet politik, si dhe krijimin e një mjedisi favorizues për pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile.

Takimi u organizua në kuadër të projektit “Vlerësim Rajonal i Reformave Thelbësore: Avancimi i Bashkëpunimit për Grupkapitullin 1 të BE-së në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut” (Regional Fundamentals Snapshot: Advancing Cooperation on EU Cluster 1 in Albania, Kosovo, and North Macedonia). Projekti mbështetet nga Fondi i Ballkanit Perëndimor dhe synon ndërtimin e një qasjeje më të koordinuar rajonale për avancimin e reformave në kuadër të Grupkapitullit 1.

Ky workshop u mbajt gjithashtu në kuadër të Muajit të Angazhimit të Shoqërisë Civile për Anëtarësimin në BE, i mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Shqipëri

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po takohet me kryetarin e…