Cili profil Presidenti i duhet Kosovës në këtë fazë politike?
Shkruan: Ethem Çeku
Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm të zhvillimit të saj shtetëror, të karakterizuar nga sfida të sigurisë, procese të ndërlikuara ndërkombëtare dhe nevoja për stabilitet të brendshëm politik. Në këto rrethana, institucioni i Presidentit kërkon një profil që garanton unitet politik, përvojë shtetërore, besueshmëri publike dhe aftësi për të ndërtuar konsensus ndërmjet institucioneve dhe spektrit politik.
Në këtë kontekst, figura e Ramush Haradinajt përfaqëson një profil politik që i përgjigjet kërkesave të kësaj faze. Përvoja e tij në periudhat kyçe të historisë së Kosovës, nga angazhimi në luftën për liri deri te pjesëmarrja aktive në procesin e shtetndërtimit dhe drejtimin e institucioneve, dëshmon një përkushtim të vazhdueshëm ndaj Kosovës dhe ndaj mbrojtjes së interesit shtetëror.
Një element i rëndësishëm i këtij profili është legjitimiteti i tij politik dhe shoqëror. Në një ambient të karakterizuar nga polarizim politik, një President me peshë politike dhe me pranueshmëri më të gjerë mund të shërbejë si faktor stabiliteti, duke lehtësuar dialogun ndërpartiak dhe duke kontribuar në ndërtimin e një klime më bashkëpunuese në jetën institucionale.
Po ashtu, profili i tij ndërkombëtar dhe përvoja në komunikimin me partnerët strategjikë përbëjnë një kapital politik për përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit. Në një kohë kur prioritet mbetet konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimi i agjendës euroatlantike, një President me kredibilitet dhe besueshmëri në raport me aleatët mund të luajë rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Në planin e brendshëm, funksionimi efektiv i sistemit politik kërkon koordinim dhe ekuilibër ndërinstitucional. Një bashkëpunim funksional ndërmjet Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit mund të krijojë një stabilitet të qëndrueshëm institucional, të ulë tensionet politike dhe të orientojë energjitë institucionale drejt prioriteteve strategjike të vendit: zhvillimit ekonomik, forcimit të rendit dhe ligjit, si dhe integrimeve ndërkombëtare.
Në thelb, Kosova ka nevojë për një President që bashkon, stabilizon dhe përfaqëson me dinjitet shtetin në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar. Një lidership me përvojë, autoritet politik dhe përkushtim të dëshmuar ndaj Kosovës mund të jetë faktor i rëndësishëm në këtë drejtim.
Në fund, sfida më e madhe e sistemit politik mbetet ndërtimi i një kulture të re politike. Është e domosdoshme të instalohet kultura e komunikimit institucional, e dialogut dhe e respektit të ndërsjellë, duke u larguar nga gjuha e përplasjes, fyerjeve dhe inateve personale. Vetëm përmes bashkëpunimit dhe përgjegjësisë politike mund të forcohet stabiliteti institucional dhe besimi i qytetarëve në shtetin e Kosovës.



