Enigma e presidentit
Shkruan: Bedri Islami
Brenda pak ditësh, në Kosovë, parlamenti duhet të vendosë për presidentin e ri të vendit. Afati shumë i shkurtër dhe enigma që e ka mbuluar këtë proçes, ku ende forca qeverisëse, LVV e Albin Kurtit, nuk ka asnjë kandidat të njohur, veç kulisave që ka e mbështjellur atë, e ka bërë gjithçka edhe më dysshuese. Deri tani është e njohur dëshira e presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për një mandat të dytë, loja e së cilës, në muajt e fundit, është mbështetur fort në lëvizjet e njohura politike drejt afërsisë me ekipin Trump, në planin e jashtëm, ndërsa brenda Kosovës, synon drejt paqëtimit me kryeministrin Kurti, nga i cili varet krejtësisht zgjedhja e presidentit të ri.
Mes Kurtit dhe Osmanit, ashtu si ka pasur afërsi, ka edhe largesa, që, në thelbin e tyre kanë qenë më shomë lojë politike, se sa kundërshtime apo qëndrime të ndryshme; ka pasur pajtime të hapura dhe paqartësi të ndryshme; asnjëri e as tjetri nuk kanë pasur përplasje të forta , serioze apo dallime thelbësore. Kanë qenë së bashku për shumë kohë, periudhat e largësisë kanë qenë të shkurta. Kurti ka thithur brenda vetes Lëvizjen e krijuar nga Osmani, të njohur si “ Guxo”, të cilët tani, ndoshta edhe më shumë se Kurti nuk e duan brenda vetes një figurë të njohur si Vjosa Osmani.
Përballë vetes Kurti ka një opozitë të lodhur, pa ide dhe mbi të gjitha pa lider të njohur e karizmatik. LDK, dikur e mbështjellur rreth figurës së Rugovës, është tashmë forca politike gjithnjë në rënie dhe vetëm kalkulimet politike brenda vetes, ku vetëm në momentet e fundit fitoi klani i Lumir Abdixhikut, është hija e kësaj force politike, e cila, nëse do të kemi zgjedhje të reja politike, do të rrezikonte pragun e përfshirjes në parlamentin e ri. Partia Demokratike e Kosovës, megjithë figurën joshëse në politikë të zotit Hamza, nuk ka më shtatin e as forcën që kishte në drejtimin e Thaçit, i cili tashmë, prej viteve, jo vetëm i mungon kësaj force politike dhe vetë opozitës, por edhe mendimit politik në Kosovë. Thaçi ishte i domodoshmi në krijimin e koalicioneve politike, përmes lëshimeve, të cilat nganjëherë dukeshin të dhimbshme për të, por që kishin gjithnjë pas vetes bulimin e qeverive të ardhshme, ku ai do të ishte primari i saj.
Përballë një opozite të tillë, që, edhe po t’i dhurohet pushteti nuk do të mund të qeverisë, që më shumë frikë ka nga zgjedhjet e ardhshme, se sa nga qeverisja e tanishme, ku mendimi politik që kishte në fillesat e tyre tashmë është kthyer në një prakticizëm të pa dobishëm, Kurti mund të qverisë si të dëshirojë, të zgjedhë president të ri apo të shkojë pas 45 ditëve në zgjedhje të reja, me shpresën se do të mund të rritë forcën e tij parlamentare, të krijojë bunkerin e tij politik dhe të shpërndajë mesazhin e shpëtimtarit apo babait të Kosovës.
Mendimi se Kurti mund të bëjë lëshime politike dhe postin presidencial do ia afrojë opozitës është absurd, pa një lëshim të madh nga ana e saj, e në këtë rast nga LDK. Për shefin e qeverisë së Kosovës sprova e tretë e zgjedhjeve politike, në harkun e një viti, do të ishte një shans i mirë, por edhe i rrezikshëm.
Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës, qoftë Vjosa Osmani apo dikush tjetër do të mund të sillte disi stabilitet, sidomos në këto kohë kur në Kosovë kriza financiare po rritet, çmimet kanë marrë hov në rritje, largimi i qytetarëve të rinj po krijon hemoragjinë e dytë kombëtare, pas asaj në Shqipëri., politika e jashtme, në dukje sovraniste në fakt është izolacioniste.
Gjithnjë e më shumë po fiton terren mendimi se Albin Kurti do të synojë që njëri nga djemtë e familjes legjendare Jashari, qoftë Bekimi, Bashkimi apo Murati, të jetë presidenti i ri i Kosovës. Në ndryshim nga Lulzimi, i biri i Adem Jasharit, i cili ka ruajtur që pas Luftës portretin e njeriut stoik, i pa përfshirë në asnjë staturë ushtarake apo drejtuese, Bekimi, i biri i Heroit Hamzë Jashari, për një mandat ka qenë kryetar i Komunës së Skenderajt, Bashkimi është gjeneral dhe komandant i Forcës Mbrojtëse0të Sigurisë së Kosovës, ndërsa Murati profesor universitar.
Secili prej tyre, të katërtve, do të ishin simbol i unitetit të Kosovës, të mirëpranuar, sidomos nga LVV dhe PDK, e ndoshta, nga halli, edhe nga LDK.
Unë i kam njohur nga afër, shumë nga afër, për dekada, djemtë e familjes Jashari dhe bacën Rifat, të vetmin nga tre vllezërit që i mbijetuan luftës. Në shumë vite kemi punuar së bashku, dhe, pa asnjë drojë mund të them se, jo vetëm të rënët, por edhe të mbijetuarit janë nga i njëjti brum, kanë veti dhe virtyte të pazakonta, dhe, qëndrimi i kësaj familje, pas vrasjees së të afërve të tyre është ndoshta shembulli më epik që mund të ketë njohur historia jonë e re kombëtare. Sëbashku me to jemi kthyer në Kosovën e pas luftës, kam qenë mik në familjen e tyre, edhe atëherë kur çdo gjë ishte e shembur, ashtu si ata kanë qenë mik në familjen time. Pra, ndoshta si pak të tjerë e njoh atë çka ata përfaqësojnë, jo vetëm si pjesë të familjes së njohur, por edhe të virtyteve të secilit prej tyre.
Idesë se mund të jetë njëri prej tyre president i Kosovës i dha shtysë edhe më të madhe vizita në orët e vona të natës, në ditët e fundit, të shefit të qeverisë Kurti, në familjen e tyre, takimi me bacën Rifat, autoriteti i të cilit brenda fisit është jashtëzakonisht i madh. Sipas informacioneve të dala nga ndeja e gjatë, pas së cilës Kurti tha shumë e nuk u kuptua asgjë, është biseduar edhe për emrin e presidentit të ardhshëm. Bashkimi dhe Murati, njëri gjeneral dhe tjetri profesor në Universitet, janë djemtë e Rifat Jasharit dhe, jam i bindur se, mes të dyve, i pari i shtëpisë do të dëshironte që në postin presidencial të jetë djali i tij i madh, Murati. Ndërkohë, Bashkimi, në ditët e fundit kishte një pritje madhështore në SHBA, që mund të jetë shenjë e mirëkuptimit dhe pranimit pa asnjë ekuivok të zgjedhjes të tij në këtë post.
Mirëpo problemi është më i gjërë se kaq, para së gjithash janë dy enigma:
Së pari, a do të pranojë familja Jashari, që njëri nga djemtë e saj, që nuk janë edhe aq të rinj, pavarësisht se i vendosa nën një emër të përbashkët, “djemtë”, të dalë nga statukuoja e saj politike, e vlerësuar me të drejtë si unifikuese e kombit, të ketë një rol politik, që do të ketë edhe qëndrimet politike? Nga të gjitha postet, ai i presidentit lejon më shumë se gjithçka tjetër të jesh mbi forcat politike, sovran dhe “ i pa dehur” me pushtetin. Por në një komb që vështirë se pranon të unifikohet qetësisht dhe me parti të kuqura nga përplasjet, cili do të jetë roli i tij?
Së dyti, a e ka seriozisht shefi i qeverisë Kurti idenë e tij që njëri nga pasuesit e familjes legjendare të jetë në postin e lartë presidencial?
Kjo e fundit është tejet e rëndësishme. Është themeltare, së bashku me pyetjen, nëse synon thjeshtë përdorimin e emërit simbol, për interesin e forcës së tij politike, apo ka qëndrim serioz dhe i bindur se kjo është në dobi të Kosovës?
Disa herë është përfolur për poste të larta drejt familjes Jashari. Sa herë që ka pasur ngërçe politike, po aq herë është përfolur për një vazhdues të kësaj familje, si e vetmja mënyrë për zgjedhjen e pengesës, dhe, po aq herë, çdo gjë ka mbetur në kufirin e përfoljes.
Pas ngjarjeve të marsit të vitit 2001, ku masa të mëdha njerëzore, pas mbytjes së fëmijve të pafajshëm shqiptarë të ujërat e Ibrit, të ndjekur nga paraushtarakë serbë, demonstruan në thuaj gjithë qytetet e Kosovës, qeveria serbe ngriti me urgjencë një strukturë të posaçme, e cila është në këshilltaret më të afërta të presidentit serb. Ajo përbëhet nga ushtarakë të lartë, ish prokurorë, njohës të mirë të Kosovës, figura të njohura të jurispendencës, të inteligjencës, të fushave të ndryshme, që nga gjeologët e deri në psikologë.
Projekti i tyre për rikthimin e Kosovës në shtetin serb nuk përmblidhet vetëm në një nen të Kushtetutës serbe, por është një program i gjërë, tepër i saktësuar, me shtrirje në të gjitha fushat dhe në çdo hapësirë. Mbi këtë projekt mbështetet qeveria dhe presidenca serbe, dhe investimet janë të shumta.
Njëri nga kaptujt me të rëndësishëm të programit nacionalist serb është edhe çmitizimi i Familjes Jashari, si gur themeli i pavarësisë së Kosovës.
Politikës serbe i intereson jashtëzakonisht që, në të gjitha fushat, sidomos në mitologji apo çështjet nacionale shqiptare, të ketë degradim të mitit dhe realitetit Jashari, ashtu si synon me të gjitha energjitë që të ketë kriminalizim të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një mënyrë ose në një tjetër, si rrjedhë e kësaj strukture është edhe Raporti famëkeq i Dik Martyt dhe pasojat që erdhën pas tij.
Çmitizimin e familjes Jashari ata e kanë synuar gjithëherë si domosdoshmëri politike dhe nacionaliste. Për to është jetike që miti Jashari, e vërteta historike e luftës së tyre, e mendimit politik dhe e organizimit praktik që barte në vete Adem Jashari, Hamzë Jashari dhe njerëzit rreth tyre, të paraqiten si komitë e kaçakë, njerëz të dehur me vetveten, pa aspirata lirie e përgjithësisht të lidhur edhe me shërbimin e tyre special.
Një luftë përfide është zhvilluar kundër veprës së tyre. Synimi i parë ka qenë kundërvendosja e familjes së njohur Haradinaj ndaj familjes Jashari, sidomos kur Ramush Haradinaj u bë kryeministër në mandatin e parë të tij. Njerëz që hiqeshin si analistë të pavarur, të njëjtët ende vazhdojnë këtë vijë, aso kohe nënvizonin se kryeministri respekton të rënët, por i njeh të njëjtë të mbijetuarit. Veprimi i parë i zotit Haradinaj si kryeministër ka qenë pikërisht kërkesa dhe sigurimi i fondit të nevojshëm për Memorialin e të rënëve në marsin e vitit 1998.
Lëvizje të tilla kanë qenë të vazhdueshme. Në kohë krizash ata kanë zënë më shumë hapësirë. Janë hedhur mendime e ide për poste të rëndësishme dhe janë zhbërë, duke sjellë zërat e çartur, pikërisht nga ata që krijonin mjedise të tilla, se “askush nuk po i respekton”, pikërisht për të ulur ndikimin e jashtëzakonshëm të kësaj familje.
Loja me ide të paqarta dhe propozime të turbullta duhet të ketë një fund. Asskush nuk mund e nuk duhet të përceptojë fitoren e tij mbi simbolin më të ndjeshëm që kanë shqiptarët në Kosovë. Loja me dritë hije, me enigmën e minutës së fundit, lëshimet dhe tërheqjen, përfoljen dhe mënjanimin duhet të ketë patjetër një fund.
Ka ardhur koha që, si në Shqipëri, edhe në Kosovë, presidenti të zgjidhet drejt për së drejti nga populli, duke i shtuar të drejtat funksionale të tij.



