NJË HISTORI GOJORE PËR SHPIRTIN QËNDRESTAR SHQIPTAR

26 shkurt 2026 | 21:16

Arben Hoxha

(Në përurimin e veprës në tri vëllime të Selatin Novosellës: “Rrugëtimi me Adem Demaçin – Kujtime I-III”, Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës, Prishtinë, 2026, mbajtur në Institutin Albanologjik me rastin e shënimit të 90-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit)
Për veprat e Selatin Novosellës, në përgjithësi, e jo vetëm këto që po i përurojmë sot, thuhet se autori i saj nuk i shkruan për heronjtë e as për Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, por për veten e tij. Reagimi demaçian ndaj një qëndrimi të tillë vlerësues për veprimtarinë shkrimore të Selatin Novosellës do të ishte si më poshtë: “Të gjithë ata që munden dhe dinë, le të shkruajnë pafundësisht për veten, ashtu siç shkruan Selatin Novosella”. Por, lentet e mia epistemologjike më bëjnë ta refuzoj një shpjegim të tillë aprioristik e skepticist dhe më fusin në horizontin e një shpjegimi ontologjist-epistemologjik. Shpjegimi aprioristik e skepticist se Selatin Novosella shkruan për veten e tij, është tipar i mendjeve prirja e të cilave drejtohet në ndarjen e objekteve të brendshme të mendjes nga përshtypjet e brendshme që shkaktojnë ato, dhe anasjelltas, me ç’rast shkërmoqet ideja e unitetit që ekziston midis subjektit (figura e Adem Demaçit), ngjarjes dhe karakterit të ngjarjes që e bën të mundur shfaqjen e pamjes së subjektit brenda situatave që prodhojnë ngjarjen.
Bazuar në një teori të tillë epistemologjike për shpjegimin e veprimtarisë shkrimore të Selatin Novosellës për dhe rreth Bacës Adem, unë, në këtë rast, do të përpiqem të argumentoj se të tri vëllimet “Rrugëtimi me Adem Demaçin – Kujtime” (I-III) nuk janë vepra që janë shkruar për Adem Demaçin, e aq më pak për Selatin Novosellën. Kujtimet e Selatin Novosellën, si tipologji shkrimi, nuk bien as në domenin e shkrimeve autobiografike e as atyre biografike. Ato janë më shumë se kaq. Ato i takojnë praktikës së hulumtimit të historisë gojore në fushën e mendimit politik shqiptar, që zbatimin e vet e gjen edhe në rrafshin e folkloristikës shqiptare, siç është rasti në pjesën e parë të vëllimit të I: “Anekdota për Adem Demaçin”. Kur themi praktikë e hulumtimit të historisë gojore, kemi parasysh për një disiplinë, e cila është e depërtueshme dhe e pakufishme, që shkon përtej të disiplinave të veçanta duke u bërë ashtu dispozitiv i tyre. “Rrugëtimi me Adem Demaçin” është një vepër-dispozitiv për historinë dhe politikologjinë shqiptare. Dhe përtej saj, ajo është dispozitiv për etikën e moralit të qëndresës shqiptare për liri.
Adem Demaçi është subjekti i ngjarjes dhe karakteri i vetë ngjarjes së lirisë një jetën e kombit shqiptar. Shprehur me terma të Hajdegerit, liria do ta zgjedhë subjektin e realizmit të vetes – Adem Demaçin, dhe vetë ekzistenca e tij do të jetë e ndërlidhur nga përcaktimi i tij për ta zgjedhur vlerën e lirisë. Është subjekti Adem Demaçi ai që do ta sjellë vlerën e lirës në ekzistencë. Si i tillë, Adem Demaçi nuk është një organizëm fizik, por një mekanizëm historik i frymës së lirisë së kombit shqiptar, i cili në vazhdimësi, pandalshëm dhe kurdoherë, sikur dje ashtu edhe nesër, do të mbetet prodhuesi më efiçient i frymës së lirisë dhe ndjenjës sonë për kuptimin e vërtetë të ekzistencës sonë, individuale e kolektive në histori.


Në veprën “Rrugëtimi me Adem Demaçin”, Adem Demaçi për Selatin Novosellën është paraqitja mendore, simboli i brendshëm njohës i shpirtit të lirisë, i cili përfaqësohet nga jashtë si realiteti i objektifikuar në figurën e Adem Demaçit. Në këtë paraqitje mendore Adem Demaçi është i pandryshueshëm. Fryma e lirisë është e pandryshueshme, mbetet ajo që ishte gjithnjë, konsitente në natyrën e shfaqjes së saj dhe e pashpjegueshme me terma psikologjikë: si dhembshuria, dashuria për atdheun, empatia për fatin e njeriut, forcë motivuese e mendimeve dhe ndjenjave etj. Asnjë psikologji nuk mund ta shpjegojë fenomenin e gatishmërisë së heronjve për t’u përballur me vdekjen, në shërbim të lirisë. Moskuptimin e gatishmërisë së Adem Jasharit për të flijuar në shtëpinë e tij me tërë anëtarët e familjes, edhe pse ka pasur mundësi zgjedhjeje të tjera (gjë kjo që na vazhdon të na turbullojë mendjen), sot e kësaj dite e mbulojmë me sintagmën terminologjike “komandanti legjendar”. Përcaktorin “legjendar” e përdorim si mbulesë të pafatësisë së mendjes sonë për të shpjeguar një akt të tillë flijimi që e sfidon çdo aftësi psikologjike racionale shpjeguese.
Pse për vetë Adem Demaçin ishte e domosdoshme burgosja e tij? Pse për Adem Jasharin ishte i domosdoshëm flijimi bashkë me tërë familjen e tij? Adem Demaçi, e besoj as Adem Jashari, veten nuk e kanë përjetuar si qenie që vijnë nga bota mitike dhe e legjendave, prandaj as “legjendar”. Ne vdektarët e zakonshëm që nuk jemi të prejardhur nga fryma e lirisë, nuk mund ta kuptojmë ligjin e domosdoshmërisë. Liria, në thelb është njohje e domosdoshmërisë. Qoftë përmes fakultetit të intuitës (Adem Jashari) qoftë përmes guximit të arsyes (Adem Demaçi), heronjtë janë të parët që dinë ta lexojnë dhe kuptojnë pashmangshmërinë e domosdoshmërisë, sepse vetëm ata dhe përmes tyre ligji i domosdoshmërisë objketifikohet në realitet. Vështirë do të ishte e imagjinueshme që në Kosovë të kishte protesta aq masovike kundër regjimit kolonialist të Jugosllavisë më 1968 dhe 1981, pa gatishmërinë dhe guximin e Adem Demaçit për t’u përballur, ashtu dinjitetshëm, si ka mundur dhe ditur vetëm ai, me burgjet e Serbisë. Kurrë nuk do të kishte masivizim të UÇK-së në përmasa të tilla, e as intervenim të NATO-s, pa sakrificën e familjes Jasharaj. Rënia heroike e Nebih e Tahir Mehës ka shumë të përbashkëta me rënien e Jasharajve në Prekaz, por, për shkak të raportit të zhdrejtë që do të ekzistojë në mes të dinamikës së lëvizjes së tyre ndjenjore e mendore për sakrificë dhe gjendjes statike, të mbyllur, të botës së jashtme (konteksti i luftës së ftohtë), akti i Mehajve nuk do të mund të prodhojë vetë ngjarjen (lindjen e një ushtrie të armatosur apo intervenim të NATO-s), por një mundësi për prodhimin e ngjarjes në të ardhmen. Dialektikës së ligjit të domosdoshmërisë, si unifikues i lëvizjes së botës së jashtme dhe vetë mendjes njerëzore në kohë dhe hapësirë, pas masakrës në Prekaz, ata që do t’i kundërvihen me shpalljen e “zgjedhjeve të lira e demokratike” – proces ky “zgjedhor” që s’ishte gjë tjetër pos një ftesë për një plebishit popullor për vazhdimin e politikës paqësore në kushtet ekstreme të luftës totale shfarosëse të Serbisë kundër popullit të pambrojtur shqiptar, në të vërtetë një plebishit kundër luftës së UÇK-së – do të pësojnë dështim moral, politik dhe historik. Qoftë përmes fakultetit të intuitës qoftë pemës fakultetit të arsyes historike, kuptimi i domosdoshmërisë është thirrje e natyrshme e guximit të heronjve për t’u ngritur mbi të pamundurën.

Alain Badiou, në trajtesën me titull “Në këto rrethana, guximi…” thotë: “Guximi është thirrur në lidhje direkte me procesin e ngritjes së pafuqisë te e pamundshmja”. Flijimi i heronjve, subjektet që kanë aftësinë e qëndresës brenda të pamundurës, është thirrje për të dalë nga pafuqishmëria që shkakton gjendja e të mundshmes. Këtë zë thirrjeje të guximit, i cili i shkrin jo vetëm kufijtë mes të mundshmes dhe të pamundshmes, por edhe kufijtë midis jetës dhe vdekjes, njerëzit, vdektarë të zakonshëm, nuk kanë vesh për ta dëgjuar, e aq më pak shpirt për ta kuptuar. Dilemën e mundësisë së të kuptuarit nga vdektarët e zakonshëm të guximit për të vdekur, përmes një silogjizimi indirekt na jep edhe Baca Adem.
Këtu po sjelli një bisedë që Selatin Novosella do ta ketë me Adem Demaçin gjatë kthimit nga shënimi i përvjetorit të rënies heroike të Nebih e Tahir Mehës në Prekaz, e të cilin na sjellë në vëllimin e dytë të librit “Rrugëtimi me Adem Demaçin”.
“Baca Adem më tregoi për një bisedë që kishte pasur me Adem Jasharin, nëpërmjet një miku të tyre të përbashkët. Adem Jashari e kishte pyetur (Bacën Adem –A.H.): – “Baca Adem, çfarë mendimi ke ti për situatën që asht krijue në Drenicë. Çka të bajmë?”. – “Unë iu përgjigja emnakut tim – Vëlla Adem, ti po e sheh që Serbia asht çmend krejt. Ajo është e gatshme me bo krime siç ka ba në Kroaci e në Bosnje. Prandaj, po të propozoj që, me ata shokë të besës së i ke, lëshoni shtëpitë dhe dilni në mal. Megjithatë, ju vendosni ashtu si ju merr mendja…’. Baca e vazhdoi dialogun në mes dy Ademave: -“Pas pak ditësh Ademi ma ktheu përgjigjen, nëpërmjet këtij mikut tonë, i cili më thoshte: – “Baca Adem, nëse unë i lëshoj shpijat tona dhe dal me vllazën, djem e nipa në mal, kujt me ia lanë familjet? Masandej, nëse unë dal në mal, s’kam të drejtë me iu thanë shokëve “unë po dal në mal e ju rrini në shpiat e juve”. Pra Baca Adem, na kemi vendos që të shkrihemi, siç thonë, prej 7 deri në 70 vjeç, se përtej shpijave tona s’kemi ku të shkojmë”. Pasi edhe Selatini i tregon se të njëjtat fjalë ua kishte thënë Adem Jashari një delegacioni të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Baca Adem thotë: “- Selatin me burrat e fortë që kanë vendosur me vdekë, s’është lehtë të kuptohemi. Ata janë njerëz, të cilët për jetën e tyre nuk i japin as pesë para. Ata mendojnë vetëm për atë sa armiq do të vrasin. Prandaj, edhe Azem Bejtën, edhe Ahmet Delinë, edhe Shaban Polluzhën, edhe Tahir Mehën…, pra as Adem Jasharin s’është lehtë t’i kuptojmë.” Një përfundim i tillë silogjistik, jo afirmativ për “të kuptuarit” (s’është lehtë t’i kuptojmë” – pra në shumës) në fakt është një përfundim silogjistik indirekt pozitiv për vetë kuptimin që Adem Demaçi kishte për gatishmërinë për të vdekur, sepse si te askush tjetër – jeta, vdekja dhe liria – nuk do të shpërfaqen në një unitet se sa në qenien e guximit të Adem Demaçit. “Mbaroi puna ime”, “Pse?” – do ta pyesë Bacën Adem Shaban Shala gjatë vizitës që i bënë pas çlirimit të Kosovës. “Nuk arrita të vdes për lirinë e Kosovës. Serbia nuk më vrau as gjatë qëndrimit në burgjet e saj, nuk më vrau as gjatë luftës”. Për të guximshmin e palodhur, i cili me qëndresën e vet brenda të pamundshmes ka bërë që Kosova të dalë nga pafuqia e së mundshmes, të mbeturit gjallë është një formë e kontestimit të guximit të tij, e kjo do të thotë të habitursit të qenies së tij. Ne vdektarët e zakonshëm kurrë nuk mund ta kuptojmë brengën e heronjve për të vdekur për liri.
Kujtimet e Selatin Novosellës për “Rrugëtimin me Adem Demaçin” nuk janë shprehje e mallit për lavdinë e qëndresës së djeshme nën pushtim kolonialist jugosllav, por ftesa solemne që e ardhmja ia bën sot ndërgjegjes së kombit për ecje vertikale, si një e tërë, drejt saj. Në veprën “Rrugëtimi me Adem Demaçin”, kujtimet nuk janë akte të izoluara të fakultetit të kujtesës të Selatin Novosellës, por paraqitje mendore e zërit të së ardhmes, që na vjen përmes zërit të djeshëm të Adem Demaçit. Adem Demaçi është subjekti që e lehtëson procesin e paraqitjes së mendjes së të ardhmes në jetën e kombit shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditura emërimet e 4…