Arsim Bajrami tërheq kandidaturën për president
Akademiku Arsim Bajrami ka njoftuar se ka tërhequr kandidaturën për president.
Në njoftimin e tij, Bajrami ka thënë se ky vendim ka ardhur pasi nuk është përkrahur koncepti i një kandidati konsensual për të parin e shtetit.
“Duke qenë se dy partitë kryesore parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk e përkrahën konceptin e një kandidati konsensual për President të Republikës së Kosovës, kam vendosur të tërheq gatishmërinë time për t’u vënë në dispozicion si kandidat konsensual”, ka njoftuar Bajrami.
Ai ka thënë se vetëofrimi për ta ushtruar këtë funksion kishte për qëllim kontributin në tejkalimin e krizës së thellë politike dhe institucionale.
“Ky angazhim nuk ka pasur motive personale apo karriere, por ka qenë shprehje e përgjegjësisë qytetare dhe e gatishmërisë për t’i shërbyer Kosovës në një moment të ndjeshëm për demokracinë dhe stabilitetin institucional të saj. Cilido President apo presidente që do të zgjidhet, i dëshiroj sukses dhe shpreh gatishmërinë time që, në kapacitetin tim akademik dhe profesional, të kontribuoj në proceset shtetformuese dhe në forcimin e institucioneve demokratike të vendit”, ka njoftuar Bajrami.



