Kjo është shkresa e plotë e Haxhiut drejtuar Kushtetueses për zgjedhjen e presidentit
Kuvendi i Kosovës të enjten ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesë së kuorumit.
Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.
E pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit.
“Po ashtu, përmes kësaj kërkese, kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit po ashtu ka njoftuar se lidhur me këtë veprim është informuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.
Por, çfarë thuhet në shkresën drejtuar Kushtetueses?
“Vlerësojmë se veprimet e deputetëve të grupeve opozitare janë duke penguar procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, me qëllim krijimin e rrethanave për shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës.
Këtë konstatim e bazojmë në faktin se 54 deputetë nuk kanë marrë pjesë, me qëllim për te pamundësuar kuorumin prej 80 deputetëve të nevojshëm në dy raundet e para të zgjedhjes së Presidentit. Ne vlerësojmë që këto veprime të deputetëve të grupeve parlamentare të opozitës janë në kundërshtim të qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe detyrimet tjera ligjore te cilat ata si përfaqësues të zgjedhur të popullit i kanë.
Deputetët e kanë mbi të gjitha detyrim kushtetues primar për të marrë pjesë në ushtrimin e funksioneve institucionale, dhe ky detyrim nuk është thjesht formal, por lidhet drejtpërdrejt me garantimin e funksionimit të rendit kushtetues…”, thuhet në shkresë.
Tutje kërkohet që Aktgjykimi:
Të shpallë kërkesën të pranueshme.
Të caktojë masë të përkohshme që pezullon afatin për zgjedhjen e Presidentit deri në nxjerrjen e Aktgjykimit.
Të konstatojë shkeljen kushtetuese të deputetëve që nuk kanë marrë pjesë, në seancë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Të konstatojë detyrimin e deputetëve për të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, qoftë pro, kundër apo abstenim dhe të mos pengojnë krijimin e kuorumit të nevojshëm në raundin e parë dhe të dytë të votimit, si dhe masat/sanksionet përkatëse në rast se ndodh një gjë e tillë.
Të përcaktojë rikthimin në afat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit
Të njoftojë palët dhe të publikojë vendimin në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Të urdhërojë që Aktgjykimi të hyjë në fuqi menjëherë.




