‘Shpërthen’ Xavi: Nga rikthimi i dështuar i Messit te shkarkimi im, të gjitha gënjeshtrat e Laportas
Një rregullim i vërtetë hesapesh, vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale në FC Barcelona.
Në një intervistë të dhënë për gazetën “La Vanguardia”, ish-trajneri i katalanasve, Xavi Hernandez, ka lëshuar akuza shumë të forta ndaj presidentit Joan Laporta, duke pretenduar se ishte pikërisht ai që e bllokoi rikthimin e Lionel Messit në vitin 2023.
Deklaratat vijnë një javë para zgjedhjeve presidenciale të Barcelonës, ku Laporta është kandidat së bashku me Victor Font.
Sipas ish-mesfushorit “Blaugrana”, presidenti i klubit e ka penguar rikthimin e argjentinasit pavarësisht dëshirës së lojtarit për t’u kthyer në “Camp Nou”, menjëherë pas triumfit në Botërorin 2022.
“Presidenti nuk e thotë të vërtetën”, deklaroi Xavi.
“Leo kishte pranuar. Në janar të vitit 2023, pas Botërorit, rifilluam kontaktet dhe ai më tha se kishte shumë dëshirë të kthehej. Folëm deri në mars dhe i thashë: ‘Kur të ma japësh dritën jeshile, do të flas me presidentin, sepse mendoj se sportivisht do të ishte një zgjedhje e madhe’”.
Xavi shpjegoi gjithashtu se Laporta i kishte nisur edhe negociatat për kontratën me babanë e lojtarit, Jorge Messi, dhe se La Liga e kishte dhënë dritën jeshile për transferin.
Megjithatë, sipas ish-trajnerit të Barçës, ishte pikërisht presidenti ai që bllokoi gjithçka në momentin e fundit.
“Interesi im është ta them të vërtetën: Leo nuk u kthye te Barça sepse presidenti nuk e donte, jo për shkak të La Ligas apo për arsye ekonomike. Laporta tha se klubi nuk i kishte mjetet dhe se Messi do të kishte shumë pushtet”, shtoi ai.
Xavi foli edhe për largimin e tij nga bankina e Barcelonës në verën e vitit 2024.
Sipas tij, shkarkimi erdhi për shkak të ndikimit të Alejandro Echevarria, një figurë shumë e afërt me presidentin edhe pse pa një rol zyrtar në klub.
“Laporta më shkarkoi pa më thënë të vërtetën. Në realitet ishte Alejandro ai që më bëri ta humbas vendin e punës”, deklaroi ish-trajneri.
Xavi e kujtoi gjithashtu një darkë me sushi ku Laporta e kishte bindur të qëndronte edhe për sezonin pasues, përpara se të ndërronte sërish mendje vetëm disa javë më vonë.
“Ai më tha: ‘Nuk e shoh skuadrën pa ty, nuk e shoh Camp Noun e ri pa ty dhe as 125-vjetorin e klubit pa Xavin trajner’. Për këtë arsye vendosa të vazhdoj”, përfundoi ai.



