Rrugëtimi i Lirisë – Demonstratat e vitit 1981
Shkruan: Ethem Çeku
Sot përkujtojmë 11 marsin, ditën kur studentët shqiptarë të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare ngritën zërin dhe kërkuan me vendosmëri: Kosova Republikë. Kjo kërkesë nuk ishte e rastësishme; ajo kishte gjenezën e saj që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur aspirata për barazi, dinjitet dhe vetëvendosje filloi të marrë formë në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve.
Kjo ide u ringjall fuqishëm në demonstratat e vitit 1968, ndërsa në vitin 1981 mori dimensionin e saj të plotë politik dhe shoqëror. Demonstratat e vitit 1981 krijuan edhe një homogjenitet të ri brenda kombit shqiptar, duke bashkuar shtresa të ndryshme të shoqërisë rreth kërkesës për Republikë, përveç atyre që mbetën pjesë e strukturave politike dhe shtetërore jugosllave.
Kërkesa për Republikë u përhap në tërë hapësirën shqiptare dhe u shndërrua në një program politik dhe kombëtar, që ndikoi jo vetëm në politikën zyrtare të shtetit shqiptar, por edhe në opinionin dhe diplomacinë e botës perëndimore. Shtypi ndërkombëtar filloi ta trajtojë çështjen e Kosovës si një problem të hapur politik në Evropë, duke e nxjerrë atë nga kufijtë e Jugosllavisë dhe duke e vendosur në agjendën e diskutimeve ndërkombëtare.
Këto demonstrata patën një ndikim të thellë në vetëdijen kombëtare shqiptare. Ato forcuan ndjenjën e solidaritetit dhe të bashkimit mes shqiptarëve në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, duke e bërë kërkesën për liri dhe Republikë një aspiratë të përbashkët të kombit.
Kjo lëvizje historike nxori në skenë një brez të ri liderësh shqiptarë, të cilët nuk hoqën dorë nga ideali i Republikës. Ky brez u bë bartës i përpjekjeve për liri dhe, me kalimin e kohës, edhe i organizimit të rezistencës së armatosur kundër pushtimit serbo-malazez.
Rruga drejt lirisë nuk ishte e lehtë. Ajo u ndërtua mbi sakrifica të mëdha, mbi qëndresë dhe mbi gjakun e shumë bijve dhe bijave të këtij vendi.
Nder dhe lavdi për të gjithë të rënët për çlirimin e atdheut.



