Edita Tahiri, Kurtit: A je pyetur ndonjëherë pse kaq e dobët dhe e paaftë ishte diplomacia nën qeverisjen tënde?

13 mars 2026 | 19:50

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili sot ka thënë se “pranvera pritet ta shkrijë fusnotën”,  duke i dërguar atij “një porosi’’.

Tahiri, në “porosinë’’ e saj drejtuar Kurtit, ka thënë se Kosova ka hyr në rrugën për integrim në Bashkimin Evropian falë fusnotës, ndërsa kryeministri, ka thënë ajo, e “ka lënë Kosovën të izoluar’’.

“Një porosi për Albin Kurtin: Kosova hyri në rrugën zyrtare për integrimin në BE falë fusnotës dhe falë lidershipit tonë, që nuk e lamë Kosovën të izoluar, ndërsa ti e ke lënë Kosovën të izoluar. Madje as në Këshillin e Evropës nuk arritë ta anëtarësosh, ndërsa ne, lidershipi i asaj kohe, e afruam te dera; ti e ke lënë Kosovën te dera që sa vite. Madje dje i kërkove Marta Kos-it statusin e kandidatit për Kosovën në BE, por nuk i tregove popullit se kjo kërkesë bëhet vetëm pse kemi fusnotën.
Po ashtu nuk i tregove popullit se fusnota shkrihet kur Kosovën e njohin pesë vendet e BE-së që ende nuk e njohin, ashtu siç kam deklaruar unë si kryenegociatore kur u arrit kjo marrëveshje në Dialogun e Brukselit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Ajo i është drejtuar Kurtit se: “Sa vjet je në pushtet, asnjë njohje nga këto pesë vende nuk ia solle Kosovës. A je pyetur ndonjëherë pse kaq e dobët dhe e paaftë ishte diplomacia nën qeverisjen tënde?
Për të gjithë qytetarët që janë të interesuar më shumë për këtë temë dhe për të gjitha temat e Dialogut të Brukselit, së shpejti do të kenë rastin ta lexojnë librin tim për Dialogun e Brukselit 2011–2017, të bazuar në fakte dhe argumente, duke qenë se i gjithë procesi negociator mes Kosovës dhe Serbisë është i përfshirë në libër, si dhe të gjitha marrëveshjet”, ka shkruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik…