Falsifikimi i dokumenteve shtetërore, një alarm serioz për rendin kushtetues

16 mars 2026 | 12:07

Shkruan: Hisen Berisha 

Dokumenti që po qarkullon në rrjete sociale dhe në disa kanale komunikimi, i paraqitur si “dekret presidencial” për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit, me një nënshkrim që pretendohet të jetë i ish-presidentit Hashim Thaçi, ngre dyshime të rënda për një manipulim të qëllimshëm të dokumentacionit shtetëror.
Nëse vërtetohet se ky dokument është i falsifikuar, atëherë kemi të bëjmë jo thjesht me një manipulim propagandistik, por me një akt të rëndë, kundër rendit juridik dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Falsifikimi i një dekreti presidencial përbën një nga format më serioze të abuzimit me shtetin.
Një dokument i tillë nuk është vetëm një letër administrative, ai është akt juridik që buron nga autoriteti kushtetues i shtetit. Manipulimi i tij për qëllime politike ose propagandistike përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në integritetin e institucioneve dhe në besimin publik ndaj tyre.

Në këtë rast, nuk bëhet fjalë vetëm për një dokument të dyshimtë. Dyshimi që ngrihet është shumë më i thellë, sepse kemi të bëjmë me një praktikë të rrezikshme të manipulimit të dokumenteve shtetërore, arkivave administrative dhe materialeve zyrtare për të ndërtuar narrativa politike që deformojnë realitetin juridik dhe institucional të vendit.
Nëse një dekret presidencial mund të fabrikohet dhe të qarkullojë në opinion publik si dokument autentik, atëherë rrezikohet vetë besueshmëria e gjithë sistemit dokumentar të shtetit.

Kjo situatë hap një dyshim edhe më të thellë që tejkalon rastin e një dokumenti të vetëm. Nëse është arritur deri te fabrikimi ose manipulimi i një dekreti presidencial, atëherë lind domosdoshmëria e hetimit edhe të gjithë dokumentacionit të prodhuar në procese të tjera shtetërore, përfshirë dialogun Kosovë–Serbi, protokollet zyrtare, materialet negociuese dhe marrëveshjet që janë prodhuar në këtë proces. Dyshime të arsyeshme duhet të verifikohen edhe për dokumentet dhe angazhimet që lidhen me të ashtuquajturin plan franko-gjerman dhe Aneksin e Ohrit, të cilat janë kundërshtuar gjerësisht si marrëveshje me elemente antikushtetuese që cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin politik të Republikës së Kosovës. Nëse ekziston qoftë edhe dyshimi minimal për manipulim dokumentesh, protokollesh apo procedurash shtetërore në këto procese, atëherë hetimi duhet të shtrihet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të zhvillohet nga një mekanizëm i jashtëm, i pavarur dhe me kredibilitet ndërkombëtar, siç mund të jetë një hetim i asistuar nga struktura profesionale të nivelit të FBI-së, në mënyrë që të garantohet transparencë e plotë dhe përgjegjësi institucionale.

Një situatë e tillë, kërkon reagim institucional të menjëhershëm. Prokuroria e Shtetit dhe institucionet përgjegjëse për sigurinë e dokumentacionit shtetëror duhet të hapin hetim të plotë për të verifikuar origjinën e këtij dokumenti, mënyrën se si është prodhuar, dhe rrjetin e personave që mund të jenë përfshirë në përgatitjen dhe shpërndarjen e tij.

Nëse rezulton se kemi të bëjmë me falsifikim të qëllimshëm të një dokumenti të nivelit presidencial, atëherë përgjegjësit duhet të përballen me ndjekje penale për falsifikim dokumentesh zyrtare, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit dhe cenim të rendit kushtetues.
Këto janë vepra që në çdo shtet demokratik trajtohen si krime të rënda kundër shtetit.

Manipulimi i dokumenteve shtetërore nuk është vetëm çështje e një debati politik. Ai është kërcënim për vetë shtetin ligjor.
Kur dokumentet protokolare, arkivat administrative dhe aktet zyrtare përdoren si mjete propagande, atëherë shteti rrezikon të shndërrohet në instrument manipulimi dhe jo në garant të ligjit.

Për këtë arsye, kjo çështje nuk duhet të relativizohet, as të mbulohet me heshtje politike. Ajo kërkon hetim të pavarur, transparent dhe profesional. Vetëm një hetim i tillë mund të sqarojë nëse kemi të bëjmë me një falsifikim të organizuar dhe kush qëndron pas tij.

Nëse dikush ka guxuar të manipulojë dokumente shtetërore për të mashtruar opinionin publik dhe për të deformuar realitetin juridik të vendit, atëherë përgjegjësia duhet të jetë e plotë, juridike, institucionale dhe politike.

Sepse shteti nuk mund të mbrohet me propagandë.
Shteti mbrohet vetëm me ligj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e Borussia Dortmund po planifikojnë ndryshime të mëdha në…