Nesër përkujtohet heroi Ismet Asllani në 27-vjetorin e rënies së tij
Nesër (e martë) bëhen 27 vjet nga rënia e heroit Ismet H. Asllani. Me këtë rast, nesër nga ora 12:00 do të bëhen nderime dhe homazhe pranë varrit të heroit, në fshatin e tij të lindjes, në Prapashticë, Komuna e Prishtinës.
Lajmin e ka bërë me dije udhëheqësi i Sektorit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së në Komunën e Prishtinës, Sylë Vitia.
Syla ka thënë se heroi Ismet H. Asllani ishte një biznesmen dhe humanist i madh, i cili tërë pasurinë e tij e kishte vënë në shërbim të lirisë së atdheut.
“Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë të UÇK-së, të nderuar qytetarë. Me rastin e 27-vjetorit të rënies së heroit Ismet H. Asllani, më datë 24.03.2026, në ora 12:00, kryeqyteti – Sektori për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, në kuadër të Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës, do të bëjë nderime dhe homazhe pranë varrit të heroit, në fshatin e tij të lindjes, në Prapashticë, Komuna e Prishtinës. Heroi Ismet H. Asllani ishte një biznesmen dhe humanist i madh i cili tërë pasurinë e tij e vuri në shërbim të lirisë së atdheut. Në fund, ai nuk kurseu as veten, duke u flijuar për lirinë që ne e gëzojmë sot. Lavdi jetës dhe veprës së heroit”, ka njoftuar Vitia.



