Ramadani: Rrugët ilegale për armë në veri ende aktive, po cenohet siguria
Në veri të vendit pothuajse gjatë secilës javë po gjenden sasi armatimi.
Rasti i fundit është para pak ditësh në nnë shtëpi të pabanuar në fshatin Varagaë të Zubin Potokut.
Për këtë, ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, thotë se ende ekzistojnë rrugë për furnizim me armë ilegale, duke mos përjashtuar faktin se prania e tyre në veri cenon sigurinë.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Ramadani u shpreh se prania e armatimit daton që nga paslufta, derisa thekson se institucionet kanë ndërmarrë aksione të shumta për parandalim.
“Prania e armatimit, me theks të veçantë në veri të Kosovës, mund të lidhet edhe nga e kaluara, pra edhe nga periudha prej luftës, pas luftës e këndej. Por në të njëjtën kohë mund të lidhet edhe me mundësinë e qarkullimit të armëve të tilla. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Policia e Kosovës dhe institucionet e sigurisë kanë bërë aksione të shumta dhe kanë gjetur një pjesë serioze të armatimit të fshehur atje. Por se sikurse e ka thënë edhe Policia e Kosovës, një pjesë e rrugëve ilegale që lidhen me Serbinë janë ende, pra, më tutje në funksion”, tha ai.
Ramdani, potencon se Qeveria dhe policia duhet t’i mbyllin të gjitha rrugët ilegale, pasi siç thotë ai me këtë rrezikohet edhe jeta e policëve.
“Pra Qeveria e Kosovës e ka të domosdoshme, dhe Policia, e ka të domosdoshme që njëherë e mirë t’i mbyllë të gjitha rrugët ilegale dhe kjo të mos përsëritet sepse rrezikon edhe stabilitetin në atë pjesë të Kosovës, po rrezikon edhe vetë jetën e Policisë së Kosovës”, theksoi Ramadani.
I pyetur nëse po shtohen rrugë të reja për furnizim me armë ilegale, Ramadani u shpreh se nuk ka dijeni dhe se kjo çështje u takon institucioneve.
“Nuk e di për rrugë, nëse është rrugë e re apo rrugë e vjetër ilegale, këto janë kompetenca të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it si prezencë ndërkombëtare ushtarake, për të cilët do të duhej që të jenë edhe më transparentë edhe më të saktë, edhe më rigjidë në punën e tyre për të ndalur qofshin rrugët e reja ilegale, qofshin rrugët e vjetra ilegale”, u shpreh ai.
Ramadani pohon se siguria në vend po cenohet nga armët ilegale dhe shton se, pas rastit të Banjskës, sigurimi i armëve lidhet edhe me synime politike.
“Absolutisht. Prania e armëve në veri të Kosovës, armëve ilegale, është një prej shkaktarëve kryesorë të cenimit të sigurisë së Republikës së Kosovës. Sepse është e qartë dhe sidomos pas rastit të Banjskës është e qartë që qëllimi apo motivimi i njerëzve atje për të pasur armë ilegale nuk është për shkak të hobit, por është për shkak të synimeve politike të Serbisë dhe të qasjeve të caktuara të serbëve të Kosovës për të shkaktuar destabilizim të sigurisë në Kosovë”, shtoi tutje ai.
Ndërkaq, Policia e Kosovës më 22 mars ka zbuluar një sasi armatimi në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Rastin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se gjatë patrullimit janë gjetur dhe konfiskuar një armë AK-47 me pesë karikatorë të mbushur me 68 fishekë, dy uniforma të kamufluara, pajisje për pastrimin e armëve si dhe një granatë dore./Ekonomia Online



