Kur Gjykata rrëzon Kushtetutën, dhe vendimi që godet vetë shtetin
Shkruan: Hisen Berisha
Gjykata rrëzon dekretin e Presidentes.
Por në thelb, ajo godet vetë autoritetin kushtetues që e ka të drejtën funksionale për të garantuar rendin kushtetues.
Kam deklaruar vazhdimisht se, kur cenohet integriteti kushtetues dhe sovraniteti politik i shtetit të Kosovës, veçanërisht siç është rasti përmes marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit të arritura me negociata dhe pranuara nga Kurti në shkurt, mars dhe tetor 2024, në kuadër të planit franko-gjerman, aneksit të Ohrit dhe statutit të BE për asociacionin, Gjykata Kushtetuese është dhe duhet të mbetet gardiani i funksionimit kushtetues të shtetit.
Me vendimin e saj, lidhur me bllokimin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, ajo ka bërë të kundërtën, sepse ka shkelur mbi parimin bazë të kushtetutshmërisë, madje edhe mbi koherencën e vendimeve të veta.
Në emër të kujt?
Sepse fleksibiliteti politik dhe balanca institucionale nuk mund të ndërtohen duke deformuar tekstin e Kushtetutës.
Kushtetuta nuk është tekst politik që interpretohet sipas nevojës së momentit, ajo është normë detyruese, e cila në këtë rast flet qartë, me një precizion pothuaj kirurgjikal juridik.
Çështja është e thjeshtë në thelb dhe e maturueshme brenda argumentit juridik që e rrëzon vendimin.
A kishte të drejtë Presidentja të shpërndajë Kuvendin pasi nuk u zgjodh Presidenti brenda afatit kushtetues?
Përgjigjja buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta dhe jurisprudenca e vetë Gjykatës.
Nenet 86 dhe 87 përcaktojnë qartë se:
– procedura duhet të fillojë 60 ditë para përfundimit të mandatit.
– Presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të tij.
Ndërkohë, vendimi KO29/11 i Gjykatës Kushtetuese e ka saktësuar standardin themelor, se pa kuorum prej 2/3 (80 deputetë), dhe pa dërgimin e dy kandidaturave në kuvend, procedura nuk mund të zhvillohet.
Kjo nuk është çështje interpretimi politik, është standard kushtetues i konsoliduar.
Në rastin konkret:
– procedura ishte hapur në kohë
– kandidatët ekzistonin
– por kuorumi mungoi
Si rezultat, votimi ishte i pamundur.
Dhe më e rëndësishmja është se afati 30 ditor kishte skaduar.
Në këtë moment, Kushtetuta nuk lë hapësirë për improvizim sepse
aktivizohet Neni 82 apo shpërndarja e Kuvendit.
Pra, jo vetëm që Presidentja kishte të drejtë, ajo kishte detyrim kushtetues për të vepruar.
Çfarë bëri Gjykata Kushtetuese në ketë rrethanë?
Duke e rrëzuar këtë dekret, Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë thjesht një interpretim ndryshe.
Ajo ka krijuar një standard të ri, jashtë Kushtetutës dhe në kundërshtim me praktikën e vet.
Kjo është pika ku lind problemi real, sepse, kur gjykata që duhet të garantojë Kushtetutën, fillon ta relativizojë atë, atëherë kriza nuk është më politike por është kushtetuese.
Tani kur Gjykate oscilon nga një pretencë juridike më shumë në interpretime politike, kujt i shërben ky vendim?
Pyetja që lind natyrshëm është se çfarë po ndodh realisht?
A është kapur edhe mekanizmi i fundit i mbrojtjes së shtetit?
A po shndërrohet Gjykata Kushtetuese në instrument balancimi politik?
Vendimi i fundit nuk është i izoluar.
Ai vjen pas një serie vendimesh që prekin drejtpërdrejt çështje të ndjeshme shtetërore, përfshirë trajtimin e dokumentacionit të strukturave paralele serbe, duke prekur edhe detyrimet që burojnë nga procesi i normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi në kuadër të dialogut të asistuar ndërkombëtarisht.
Në këtë kontekst, nuk mund të injorohet dimensioni ndërkombëtar.
Roli i shteteve të QUINT, veçanërisht Francës dhe Gjermanisë, dhe dyshimi i ndikimit të tyre në proceset vendimmarrëse, përmes pranisë ndërkombëtare në Gjykatë, ngre pikëpyetje serioze për motivet reale të këtij vendimi.
Paradoksi i Kurtit është i qartë, i njëjti lider që ndërtoi kapital politik mbi retorikë anti-perëndimore dhe antiamerikane, sot kërkon legjitimitet pikërisht nga ato qendra vendimmarrëse që dikur i kundërshtonte.
Dikur në konfrontim, sot në kompromis.
Dikur në refuzim, sot në implementim.
Dhe ky transformim nuk është ideologjik, është kalkulim për mbijetesë politike.
Në këtë lojë pushteti, raporti me Presidenten ndryshon në mënyrë drastike.
Për aq kohë sa ishte e dobishme politikisht, ajo ishte aleate.
Në momentin që u shndërrua në faktor që mund të cenojë supremacinë politike, fillon distancimi dhe eliminimi politik.
Ky nuk është më debat institucional, është luftë për kontroll.
Ky vendim nuk është vetëm një çështje juridike.
Është një moment që teston vetë themelet e rendit kushtetues në Kosovë.
Sepse nëse Kushtetuta mund të anashkalohet për nevoja politike, atëherë nuk kemi më interpretim, kemi deformim.
Dhe kur deformimi vjen nga institucioni që duhet ta mbrojë atë, atëherë rreziku nuk është vetëm për një vendim apo një mandat, por për vetë shtetin.



