Haradinaj në Beleg: Sot ndamë dhimbjen me familjarët
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se 29 marsi na kthen në kujtesë vitin 1999, flijimin e dhjetëra motrave dhe vëllezërve tanë në fshatrat Beleg e Irzniq të Deçanit dhe në Poterq të Klinës.
“Sot në Beleg, ndamë dhimbjen me familjarët, të cilët edhe pas shumë vitesh vuajnë mungesën e më të dashurve të tyre. Edhe pse të paarmatosur, ata u ekzekutuan pa mëshirë nga forcat serbe; gra, pleq e fëmijë”.
“Derisa dje kujtuam ditën e themelimit të Brigadës 137 “Gjakova”, sot bëmë homazhe në nderim të 14 bashkëluftëtarëve të rënë në Shishman të Bokës. Djem të zotë e luftëtarë të dalluar, disa prej të cilëve i njoha në frontet e luftës”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.
Ai ka thënë se shteti që e gëzojmë sot është fituar me shumë gjak e sakrificë.
“E vërteta e luftës sonë çlirimtare nuk mund të shtrembërohet nga askush. Serbia kishte mision shfarosjen tonë si popull, ndërsa fundin atij synimi i dhanë trimat e UÇK-së në tokë dhe NATO në qiell e udhëhequr nga Amerika. Çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë të vërtetë është e dështuar dhe kushdo që tenton ta bëjë këtë, do të mbetet me turp. Lavdi të rënëve për liri!”, ka shkruar Haradinaj.



