Kryetari Peci mori pjesë në konferencën për kohezionin social
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, sot ka marrë pjesë në konferencën “Kohezioni Social në Shoqëritë e Ndara: Perspektiva Krahasuese dhe Realitete Lokale”.
Gjatë fjalës së tij, kryetari Faton Peci theksoi se kohezioni social është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe për rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike.
Ai nënvizoi rëndësinë e barazisë dhe ofrimit të mundësive të njëjta për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo përkatësie.
Peci foli edhe për sfidat që ka kaluar Mitrovica ndër vite, duke theksuar nevojën për zhvillim të balancuar dhe trajtim më të drejtë institucional ndaj qytetit.
Në këtë kuadër, ai përmendi edhe projektet zhvillimore në komunë, me theks të veçantë projektin për trajtimin e ujërave të zeza, i cili pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e mjedisit dhe cilësisë së jetës për qytetarët.
Kjo konferencë është organizuar nga Konsorciumi Syri i Vizionit, Edutask dhe OJQ Aktiv dhe është mbështetur nga GCERF – Global Community Engagement and Resilience Fund.



