ASFALTOJA DHE NDRIQOJA RRUGËN NËNË STANËS NGA SHTËPIA E SAJ DERI TE KISHA E FSHATIT BRUS, NUK ËSHTË MË E GJATË SE 900 METRA

31 mars 2026 | 17:05


Ismet Sylejmani

LETËR E HAPUR KRYETARIT TË KOMUNËS SË LIPJANIT,
Z. IMRI AHMETI

I nderuar z. Kryetar Imri Ahmeti,

Fillimisht po ua rikujtoj Juve dhe nëpërmjet Juve po e njoftoj tërë opinionin, se vizitën e parë në lidhje me aktivitetin tim në nderim të Nënës së UÇK-së, Nënë Stanë Pjetër Gashi, ishte te Ju i nderuar Kryetar!
Vizitën e kam realizuar me Juve në zyrën Tuaj të Kryetarit, në Komunë të Lipjanit, më 19 Shtator 2024, duke ju informuar si Kryetarin e Komunës ku jeton në fsh. Brus të Lipjanit Nëna Stana Pjetër Gashi, bashkë me familjen e Saj!
Atëherë dhe sot ju falenderoj për mikëpritjen që ma keni bërë gjatë vizitës time në zyren e Juaj të Kryetarit të Komunës së Lipjanit, në Lipjan!

I nderuar z. Kryetar Ahmeti,
ka letra që shkruhen për çështje të vogla, por edhe ka letra që lindin nga një detyrim i madh moral, kombëtar, ushtarak çlirimtar dhe shtetëror!
Kjo që po ua nisi Juve, pa as më të voglin dyshim, është një e tillë letër!

Është një e tillë letër kjo,
Sepse nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrugë të paasfaltuar!
Nuk kemi të bëjmë vetëm me mungesë ndriçimi në lagje e në tërë fshtatin Brus!
Sikur nuk kemi të bëjmë as vetëm me një lagje të harruar!

Kemi të bëjmë me kujtesën e gjallë të luftës për liri!
Kemi të bëjmë me një vatër të luftës për liri të UÇK-së, që i dha jetë luftës së armatosur të popullit shqiptar në luftë kundër Serbisë pushtuese!

Kemi të bëjmë me një Nënë, që historia e lavdishme e UÇK-së e ka ngritur në piedestal, por realiteti komunal dhe shtetëror e ka lënë në baltë dhe në rrugë të pa ndriquar deri te Kisha e fshatit!

Nëna e UÇK-së, Nënë Stanë Pjetër Gashi!

Emri i Nënë Stanës nuk është vetëm identitet!
Emri i Nënë Stanës nuk është vetëm simbol!
Emri i Nënë Stanës nuk është vetëm rrëfim!
Emri i Nënë Stanës, është vetë ndërgjegjja e një kombi të tërë në kohë lufte kundër pushtuesit serb e veglave tradhtare në shërbim të Tij!

Në vitet më të rënda të Kosovës, 1998–1999, kur errësira e pushtimit serb bënte përpjekje të mbulonte çdo shpresë, shtëpia e kësaj Nëne heroinë në Lagjen Peshter të Brusit u bë dritë, u bë flakë lirie, u ba vullkan fronti, për betejat liridashëse të UÇK-së!

Ajo shtëpi ku janë pritur e janë përcjellur luftëtarët e lirisë të UÇK-së, nuk kishte luks e nuk ishte shtëpi moderne, por kishte mikpritje e bujari shqiptare me buk e krip e zemer!
Ajo shtëpi ku janë pritur e janë përcjellur ushtarët UÇK-së, kishte siguri të madhe për bijtë dhe bijat e luftës së armatosur çlirimtare!
Ajo shtëpi ku janë pritur e ku janë përcjellur Komandantët lavdimëdhenj të UÇK-së, nuk kishte garanci për të nesërmen ngase pushtuesit serb te armatosur deri në dhemb, mund ta rrethonin e ta sulmonin në çdo çast, por kishte mbrojtje të çelikt nga zemra e Nënë Stanes, e bashkëshorit të Saj Baces Nue dhe djemve e vajzave të Saja, të rreshtuar në vijën lirisjellëse të lirisë, çlirimit e pavarësisë!

Shtëpia Bazë e UÇK-së e Nënë Stanës, kishte diçka që e bënte të pathyeshme, kishte diçka mitike, e kishte besimin në liri dhe çlirim nga Serbia pushtuese!

Në Shtëpinë Bazë e UÇK-së, të Nënës Stanë Pjetër Gashi:
U strehuan mbi 300 luftëtarë të UÇK-së!
U ushqyen me buk, bijë e bija të këtij vendi pa dallim feje a krahine!
U përgatitën ushtarët për rrugët e qëndresës dhe të luftës frontale me forcat pushtuese ushtarako-policore serbe!
U ndërtua besimi se Kosova do të bëhej e lirë dhe e pavaruar nga Serbia pushtuese!
Ajo shtëpi ku janë pritur, ushqyer e janë përcjellur luftëtarët e lirisë të UÇK-së ishte Shtëpi Bazë e UÇK-së!
Ajo shtëpi ku janë pritur, ushqyer e janë përcjellur ushtarët e UÇK-së, ishte Kala Bazë e UÇK-së!
Ajo shtëpi ku janë pritur, ushqyer e ku janë përcjellur mbrojtësit e Atdheut, ishte Shtëpi e madhe, ishte zemër luftës për lirinë e Kosovës!

Dhe në qendër të asaj Shtëpie heroinë e UÇK-së, ishte një Nënë e madhe shqiptare, ishte Nëna e UÇK-së, ishte bukëdhënsja e UÇK-së, ishte Nënë Stanë Pjetër Gashi!

Një Nënë që nuk ushqeu vetëm fëmijët e saj, por ushtarët e gjithë Kosovës!

Një Nënë që nuk pyeti për rrezikun, por për detyrën dhe ate e kreu me sukses të plotë dhe i doli bashkë me femijët e saj zot popullit, Atdheut dhe Kombit!

Nëne Stana është një Nënë që nuk bëri dallime, por bashkoi dhe i dha kuptim luftës së armatosur çlirimtare të Kosovës!

Dhe mjerisht sot, pas më shumë se një çerek shekulli Liri, Çlirim e Pavarësi shtetërore të Kosovës, kjo histori dramatike liridashëse nuk është përkthyer në përkujdesje të shtetit i cili, pa as më të voglin dyshim është ngritur edhe mbi themelet e kontributit të Saj, të Bashkëshortit dhe djemve e vajzave të Saj, të rreshtuar me armë në dorë në radhët e UÇK-së!

E tmerrshme edhe pas 27 viteve të çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese!
Rruga që të çon te shtëpia e Nënës së UÇK-së, rreth 900 metra, është sikur para luftës!
Rrugë e paasfaltuar!
Rrugë e pandriçuar!
Rrugë e lënë në mëshirën e harresës!
Kjo nuk është vetëm një mungesë infrastrukture!
Kjo është një katastrofë që shkakton dhimbje!

Sepse kur rruga drejt historisë mbetet në errësirë, atëherë edhe vetë kujtesa historike, rrezikon të zbehet!
Dhe aty ku zbehet kujtesa, aty lulëzon mjerimi dhe gjejnë zbatim devijime të ndryshme të shoqërisë, të cilat rezikojnë të dalin në sipërfaqe dhe të shpërndahen si dukuri negative e ndoshta edhe me shumë!

Z. Kryetar Ahmeti,

Kjo gjendje në Shtëpinë Bazë të UÇK-së dhe të familjes së Nënës Stanë Pjetër Gashi, nuk është neutrale!
Është gjendje që flet!
Dhe ajo pyet?

A po e nderojmë ne sakrificën sublime të Nënës së UÇK-së dhe familjes së saj që na solli lirinë?
A po dimë të dallojmë vlerën nga harresa?
A po ndërtojmë një shtet që kujdeset për themelet e veta?

Sepse nuk mund të ketë shtet të fortë mbi kujtesë të dobët!

Figura e Nënë Stanës shkon përtej një familjeje të thjeshtë shqiptare, Ajo është heroinë dhe simbol i Nënës katolike shqiptare, që me tërë familjen e Saj, u vu në shërbim të luftës së UÇK-së!

Nënë Stanë Pjetër Gashi, është Nënë Tereza e UÇK-së!

Nënë Stanë Pjetër Gashi, është përgjigje historike ndaj çdo përpjekjeje për përçarje të pushtuesve serb në baza fetare!
Nënë Stanë Pjetër Gashi, e ka goditur dhe e ka demolur platformen pushtuese serbe, për të na ndarë e përçarë në baza fetare të pjemarrjes në luftimet në UÇK!
Në sofrën e Nënë Stanës u ulën shqiptarë nga te gjitha anët pa dallime fetare!
Në pragun e Shtëpisë së Nënë Stanës, u bashkuan besimet fetare shqiptare nën emblemen e shenjtë të UÇK-së!
Në zemrën e Nënë Stanës u bë bashkë një komb i tërë!

Nëna Stanë Pjetër Gashi, me luftën dhe pjesmarrjen e Saj në UÇK, rrëzoi çdo tezë se shqiptari ndahet për fe apo për krahinë, në luftën për liri!
Ajo dëshmoi se, kur Atdheu thërret, Kombi bëhet si një trup i vetëm dhe nuk ka fe që e ndanë dhe e perqanë!

Prandaj, nderimi i saj nuk është vetëm akt respekti, por është akt politik, është kombëtar dhe është akt civilizues!

Përkundër mungesës së përkujdesjes institucionale shtetror në infrastrukturë, populli shqiptar nuk e ka harruar këtë figurë madhore!
Brenda një viti, janë shënuar këto evenimente:

2 pllaka të UÇK-së në Shtëpinë Bazë;

Pllaka e Zonës Operative të Karadakut dhe Pllaka e Brigadës 153 të Zonës Operative të Llapit!

31 vizita të personaliteteve dhe shtëpive e portaleve informative në shtëpinë e saj;

1. Presidentja e Kosovës znj. Vjosa Osmani,
2. Kryetari i BDI-së e njëri prej themeluesve dhe emërtuesve të UÇK-së Ali Ahmeti,
3. Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji,
4. ish- Ipeshkvi i Kosovës Dom Zef zgashi,
5. Famullitari i Prishtinës Dom Agim Çerkini,
6. Famullitari i Binçës Dom Frrok Zefi,
7. Famullitari i Brusit Dom Shtjefen Dodes dhe Dom Kolë Zefi,
8. Ish – Folsi Legjendar i Radios Kosova e Lirë, Prof. Dr. Nusret Pllana,
9. Kryetari i Kryeqytetit z.Përparim Rama,
10. Drejtori i Sherbimeve Publike të Prishtinës Bekim Brestovci,
11. Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni,
12. Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve te Gjilanit Kushtrim Zeqiri,
13. Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti,
14. Zv. Kryetari i Novo Bërdes Bajrush Imeri,
15. Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi,
16. Ministri i Infrastrukturës Liburn Aliu,
17. Zv. Ministri i Mbrojtjes Shemsi Syla,
18. Ish – Komandanti i ZOK te UÇK-së Ahmet Isufi,
19. Ish – Komandanti i ZOLL të UÇK-së Rustem Mustafa,
20. Ish- Zv. Komandanti ZOK të UÇK-së Shemsi Syla,
21. Ish – Komandanti i Brigadës 153 Fatmir Sopi,
22. Ish – Zv. Komandanti i Brigades 153 Adem Shehu,
23. Shkrimtari i madh shqiptar Ibrahim Kadriu, autori i librit të Nënë Stanës, me titull: NËNA E MBI TREQIND LUFTËTARËVE,
24. Ish Drejtori i Ansamblit Kombëtar të Këngeve dhe Valleve nga Maqedonia e Veriut Tenori Shkodran Tolaj, bashkë me bashkëshorten e tij, Mezosopranon Besiana Mehmedi,
25. Këngetari injohur shqiptar,i cili do të ia këndoj Këngën Nënë Stanes, Arben Krasniqi,
26. Gazetari i Ulpiana Pres, Granit Duriqi,
27. Ekipi i RTK-së,
28. Ekipi i Klan Kosovës,
29. Ekipi i KTV-së
30. Ekipi i tëvë1
31. Studio Foto Fari – Afrim Kqiku!

11 nderime me dekorata dhe mirënjohje;
1. Dekoratë Presidenciale “Shen Tereza” nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani,
2. Mirënjohje nga Ipeshkvia e Kosovës në Prishtinë, Ipeshkv, Imzot Dodë Gjergji,
3. Dekoratë “Hyjnesha në Fron” nga Kryetari i Prishtinës Perparim Rama,
4. Dekoratë “Flaka e Janarit” nga Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni,
5. Dhuratë nga Kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti,
6. Dhuratë nga Zv. Kryetari i Novo Bërdos Bajrush Imeri,
7. Mirënjohje nga Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi,
8. Mirënjohje nga Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi,
9. Mirënjohje nga Kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi,
10. Mirënjohje nga Famullitari I Binçes Dom Frrok Zefi,
11. Mirënjohje nga Famullitari i Brusit Dom Shtjefën Dodes

6 emisione dhe kronika televizive;
1. Emisionin nga gazetari Granit Duriqi në Ulpiana Press,
2. Emision nga tëvë1,
3. Emison nga RTK,
4. Emision nga Klan Kosova,
5. Emision nga KTV
6. Emision ne Odeon nga Naim Abazi,

1 Akademi atë të “Flakës së Janarit” që iu kushtua Nënë Stanës, nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit Alban Hyseni!

2 dokumentar;

1. Zyrja e Kryetarit të Kmunës së Gjilanit,
2. Dokumentar Prof. Dr. Nusret Pllana,

8 ftesa për pjesëmarrje në aktivitete;

1. Vizita te Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Presidencë në Prishtinë,
2. Vizita te Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji,
3. Vizita te Kryetari i Prishtinës Përparim Rama në Prishtinë,
4. Vizita te Kryetari i Gjilanit Alban Hyseni në Gjilan,
5. Vizita në Famullinë e Binçes te Famullitari Dom Frrok Zefi,
6. E ftuar në Koncert nga Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi,
7. E ftuar në Koncert nga Kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi,
8. E ftuar në Koncert nga Kryetari i Kaçanikut Besim Ilazi

1 emërtim rruge;

Në Gjilan iu vu emri një rruge, i bashkëshortit të Nënë së UÇK-së, Nënës Stanë Pjetë Gashi, kryemafiljarit të shtëpisë, ushtarit e babait të ushtarëve të UÇK-së Filipit, Fatmirit dhe Viktorit Bacës Nue Martin Gashi!

6 këngë të shkruara;

1. Këngë ia shkroi Edmond Zhulali që do ta këndojë Arben Krasniqi,
2. Këngë ia shkroi shkrimtari Ibrahim Kadriu,
3. Këngë i shkroi poeti Ndue Vatnikaj
4. Këngë i shkroi publicisti Ismet Rashiti,
5. Këngë i shkroi poeti Taulant Dajti,
6. Këngë i përgaditi Endrit Ferati!

1 libër;
Shkrimtari i madh shqiptar Ibrahim Kadriu i ka shkruar libër:
Nëna e mbi treqind luftëtarëve!

1 Koncert;
Artistët e mëdhenj Besiana Mehmedi dhe Shkodran Tolaj ia organizuan një Koncert Festiv Nënë Stanës, me rastin e Krishtlindjeve në Kishen e Saj në Peshter të Brusit!

Ky bilanc flet qartë:
Populli, shteti dhe shoqëria e ka nderuar, por Komuna e Saj, ende jo sa duhet!

Z. Kryetar Ahmeti,

Le të jemi të qartë!
Kërkesa për rregullimin e rrugës nga Kisha deri te Shtëpia Bazë e UÇK- së, aty ku jeton në moshën 80 vjeçare Nënë Stana, nuk është kërkesë luksi!
Është kërkesë minimale dinjiteti!

Shtëpia e Nënë Stanës nuk është vetëm një adresë, ajo është një kapitull i tërë historie të lavdishme të luftës për liri, çlirim e pavarësi nga Serbia pushtuese!

Prandaj, kërkohet:
Rregullimi i menjëhershëm i infrastrukturës rrugore!
Ndriçimi i plotë i zonës ku jeton Nënë Stana me familjen e Saj!
Trajtimi institucional si zonë me rëndësi historike!
Shndërrimi i shtëpisë së Nënë Stanës në Shtëpi Muze të UÇK-së!
Përjetësimi i figurës së Nënë Stanës në bronz, si simbol i nënës shqiptare katolike në luftë për liri, çlirim e pavarësi nga Serbia pushtuese!

Këto hapa që po ua kërkoj përmes kësaj letre të hapur, janë hapa që nuk ndërtojnë vetëm rrugë, këto do të jenë hapa që ndërtojnë kujtesë historike për të ardhmen!

Nuk duhet të lejojmë të bëhemi një shoqëri që harron nënat e saj, sepse pastaj harrojmë edhe vetveten!

Mirëfilli dihet se Nëna është fillimi i çdo historie njerëzore!
Nëna është dora që rrit, është mendja që edukon dhe zemra që frymëzon njerëzimin!

Nëna në luftën e UÇK-së, u bë edhe më shumë!
U bë shtyllë, u bë strehë, u bë forcë!

Nënë Stana Pjetër Gashi, ishte dhe mbetet e gjitha nga këto!

Ajo i rriti bijtë e saj për liri!
Ajo u bë bashkëudhëtare e idealeve të tyre në luftën heroike në radhët UÇK-së!
Ajo djemt e saj ushtar të UÇK-së Filipin, Fatmirin dhe Viktorin i përcolli me bekim në rrugën më të vështirë, atë të sakrificës sublime të luftës për lirinë dhe çlirimin e Atdheut nga sundimi serb!

Dhe sot, ajo ka mbetur një zë i heshtur që kërkon vetëm një gjë,
mos me harroni, mos më braktisni, sepse kur ishte ora ime, unë e vura në shërbim të historisë së Kombit!

Z. Kryetar Ahmeti,

Historia nuk kërkon shumë!
Ajo kërkon drejtësi!
Ajo kërkon kujdes!
Ajo kërkon ndërgjegje!

Dhe kjo histori ndonjëherë, fillon me një rrugë!
Një rrugë që nuk duhet të mbetet më në baltë!
Një rrugë që duhet të jetë e asfaltuar sikur të gjitha të tjerat, rreth e rrotull saj!

Z. Kryetar,

Koha për këtë nderim nuk është nesër!
Është tani!

Sepse çdo vonesë është një padrejtësi e zgjatur!
Çdo heshtje është një harresë e thelluar!

Dhe çdo hap i munguar është një distancë më shumë mes shtetit dhe historisë së vet, bartëse e të cilës në Kosovën e lirë, është edhe Nëna e UÇK-së, Nëna Stanë Pjetër Gashi, me bashkëshortin e Saj Bacën Nue Martin Gashi, dhe djemt e vajzat e Saja!

Le ta mbyllim me një të vërtetë të thjeshtë!

Nderimi i Nënë Stanës nuk është vetëm nderim për të kaluarën,
është investim edhe për të ardhmen!

Sepse brezat që vijnë do të mësojnë jo vetëm nga historia që u tregojmë,
por nga mënyra si i kemi trajtuar ata që e bënë atë histori!

Ismet Sylejmani,
Prishtinë, 31 Mars 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Faqja zyrtare e Kombëtares Turke të Futbollit ka publikuar disa…