LDK emëron tre sekretarë të partisë, Ilir Ferati bëhet Sekretar i Përgjithshëm
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar për emërimin e tre sekretarëve të rinj të partisë, në kuadër të riorganizimit të brendshëm dhe konsolidimit politik.
Sipas vendimit të marrë në përputhje me autorizimet nga Kuvendi i fundit i LDK-së dhe orientimet e Deklaratës Politike, Ilir Ferati, është emëruar Sekretar i Përgjithshëm i partisë. Ai do të jetë përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e aparatit institucional dhe administrativ, si dhe për zbatimin e vendimeve të organeve drejtuese.
Ndërkohë, Sokol Haliti është emëruar Sekretar për Mërgatë, me fokus në forcimin e lidhjeve me diasporën dhe përfshirjen e saj në zhvillimet politike dhe shoqërore në vend.
Po ashtu, Visar Azemi do të mbajë postin e Sekretarit Organizativ, duke u angazhuar në koordinimin e strukturave të partisë dhe rritjen e efikasitetit të saj në të gjitha nivelet.
Abdixhiku theksoi se këto emërime janë pjesë e një faze të rëndësishme të konsolidimit organizativ dhe politik të LDK-së, në linjë me vendimet e Kuvendit të fundit.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për Imri Ahmetin, i cili deri më tani ka ushtruar detyrën e Sekretarit të partisë, duke vlerësuar kontributin e tij në funksionimin institucional dhe organizativ.
Kryetari i LDK-së paralajmëroi se së shpejti do të prezantohet edhe përbërja e re e Kryesisë së partisë, si pjesë e procesit të mëtejshëm të riorganizimit dhe fuqizimit të strukturave drejtuese.



