Krasniqi merr vendim: Regjistrim falas për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë me dije se ka marr vendim për regjistrimin falas për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me qëllim të gjithëpërfshirjes, përfaqësimit dhe qasjes së barabartë në shërbime komunale.
Përmes një postimi ne “Facebook”, Krasniqi ka thënë se ka kërkuar nga Komunat që të shpallin muajin prill si muaj falas për regjistrimin e këtyre komuniteteve, duke krijuar lehtësira dhe ofruar informacion të plotë dhe të nevojshëm për regjistrim të mëvonshëm.
“Regjistrimi falas i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian do të dëshmojë përkushtimin tonë ndaj përfshirjes, duke siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë të njihen dhe të kenë qasje në shërbimet komunale. Duke hequr dorë nga tarifat e regjistrimit, komunat do të eliminojnë barrierat financiare që mund të pengojnë komunitetet e margjinalizuara. Kjo qasje jo vetëm që njeh vlerën e tyre të qenësishme, por gjithashtu afirmon të drejtën e tyre për trajtim dhe mundësi të barabarta”, ka shkruar Krasniqi.



