Pse Thaçi? Pse kjo nuk është rastësi!?

30 mars 2026 | 19:03
Shkruan: Ilir Gashi
Pse Hashim Thaçi ishte ai që shpalli pavarësinë e Kosova? Sepse historia nuk shkruhet nga figura neutrale dhe as nga spektatorët me peshë politike të rastit, por nga ata që mbajnë peshën e proceseve që e prodhojnë shtetin.
Në çdo rast serioz shtetformimi, akti i shpalljes nuk i besohet një teknokrati apo një figure pa rrënjë në proces. Ai i besohet një simboli.
Krahasimi me George Washington në American Revolutionary War nuk është metaforë zbukuruese, por realitet historik, ku shtetet shpallen nga ata që i kanë fituar, jo nga ata që i komentojnë. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo ishte e qartë. Nuk mjaftonte një akt juridik, duhej një akt me peshë historike. Një shtet që lind nga sakrifica ka legjitimitet. Një shtet që shkëputet nga ajo sakrificë, kthehet në një konstrukt të brishtë. Prandaj, mbështetja ndaj Thaçit nuk ishte çështje preference, por domosdoshmëri politike dhe historike.
Dhe pikërisht këtu fillon problemi për ata që sot përpiqen ta rishkruajnë këtë histori. Sepse, për ta rrëzuar këtë logjikë, duhet të rrëzohet vetë lidhja mes luftës dhe shtetit. Nuk është rastësi që këto përpjekje burojnë nga mbetje të mendësisë jugosllave, fillojnë në Kosovë, në qarqe që ende nuk janë shkëputur nga ajo logjikë, përpunohen në Beogradi dhe kërkojnë vulë ndërkombëtare në Hagë.
Kjo nuk është debat akademik. Është projekt politik. Është përpjekje për të zhbërë narrativën e çlirimit dhe për ta zëvendësuar me një histori të “sterilizuar”, ku lufta relativizohet, sakrifica minimizohet dhe, në fund, vetë pavarësia bëhet e diskutueshme.
Në këtë kuadër, sulmet ndaj figurave të luftës nuk janë analizë, janë strategji. Ato nuk synojnë të kuptojnë historinë, por ta deformojnë atë. Dhe çdo tentativë për t’ia zbehur peshën aktit të shpalljes së pavarësisë është, në thelb, tentativë për t’ia zbehur legjitimitetin vetë shtetit.
Në këtë vijë duhet parë edhe roli i Veton Surroi dhe diskursi që e shoqëron. Kur tentohet të relativizohet roli i shpallësit të pavarësisë, nuk kemi të bëjmë me kritikë, por me vazhdimësi të një projekti më të gjerë, rishkrimin e historisë së Kosovës duke e shkëputur atë nga rrënja e saj çlirimtare.
Por historia ka një rregull të thjeshtë, nuk e ndryshojnë ata që nuk e kanë bërë. Dhe për këtë arsye, fakti që Hashim Thaçi ishte figura e shpalljes së pavarësisë mbetet jo vetëm fakt historik, por dëshmi e një logjike që nuk zhbëhet me narrativa të reja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori Bekim Kodraliu, ka dhënë urdhërin për bastisjen e banesës…