KPK dhe KGJK bashkërendojnë qëndrimet për projektligjet në fushën e drejtësisë
Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, kryetari i Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, së bashku me anëtarin e këtij komisioni, Bahri Hyseni, si dhe sekretaren e komisionit, Margarita Gjocaj, kanë zhvilluar të martën një takim pune me përfaqësuesit e grupit punues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Bisnik Bislimaj, Ngadhnjim Arrni dhe Argzon Muçaj.
Takimi u fokusua në shkëmbimin e pikëpamjeve dhe koordinimin e qëndrimeve institucionale lidhur me projektligjet e hartuara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat rrjedhin nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit.
Në këtë drejtim, pjesëmarrësit diskutuan çështje me rëndësi për avancimin e kornizës ligjore, duke theksuar nevojën për harmonizim të qëndrimeve në fushat e përbashkëta dhe për një qasje të koordinuar ndërinstitucionale.
Qëllimi i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë, në funksion të zhvillimit të mëtejmë të reformave dhe sigurimit të një kornize ligjore sa më të qëndrueshme dhe efektive.



