Kombëtarja e Kosovës fiton Grupin D dhe avancon në “Main Round” të Botërorit 2028 në futsall
Kombëtarja e Kosovës në futsall ka siguruar vendin e parë në Grupin D të parakualifikimeve për Kupën e Botës 2028, duke vazhduar me sukses rrugëtimin drejt fazave të ardhshme kualifikuese.
Në ndeshjen vendimtare të zhvilluar të dielën mbrëma në Igalo, ndaj nikoqirit Mali i Zi, Kosova barazoi 3:3 në një përballje dramatike deri në sekondat e fundit. Golin e barazimit për “Dardanët” e realizoi Drilon Haxhijaj, vetëm 18 sekonda para përfundimit të takimit.
Dy golat e tjerë për Kombëtaren e Kosovës i shënuan Drilon Maxharraj dhe Shqiprim Imeri.
Me këtë rezultat, Kombëtarja e Kosovës e mbyll grupin në vendin e parë me shtatë pikë, aq sa grumbulloi edhe Mali i Zi, por me goldallim më të mirë. Austria e përfundoi garën në vendin e tretë me tri pikë, ndërsa Gjibraltari mbeti pa pikë.
Në dy ndeshjet paraprake, Kosova kishte shënuar fitore bindëse, duke mposhtur Gjibraltarin me rezultat 11:0 dhe Austrinë me shifrat 6:3.
Kombëtarja e Kosovës tashmë ka siguruar kualifikimin në raundin kryesor (“Main Round”), ndërsa shorti për këtë fazë do të hidhet më 19 qershor.
Sipas formatit të garës, 12 fituesit e grupeve nga “Main Round” do të avancojnë në “Elite Round”, së bashku me katër përfaqësueset më të mira të vendeve të dyta. Ndërkohë, tetë përfaqësueset e tjera nga vendi i dytë do të kërkojnë kualifikimin përmes ndeshjeve të plejofit.



