Rama i kundërpërgjigjet Kurtit për Lojërat Mesdhetare
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, lidhur me rrezikimin e organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke ia atribuuar qeverisë përgjegjësinë për mosrealizimin e disa obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG).
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratave të Kurtit në Kuvendin e Kosovës, ku ky i fundit ka folur për rrezikun që i kanoset organizimit të Lojërave Mesdhetare, duke theksuar se mungesa e unitetit të brendshëm e ka sjellë vendin në këtë situatë.
Kurti ka thënë se vazhdon të jetë optimist, por optimist i përmbajtur, ndërsa ka kritikuar edhe mungesën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Përmes një postimi në “Facebook”, Rama ka kundërshtuar atë që e konsideron si përpjekje të kryeministrit për t’ia bartur Komunës së Prishtinës përgjegjësinë për situatën e krijuar.
Ai ka përmendur tri arsye që, sipas tij, janë paraqitur në komunikimin e fundit të ICMG-së për anulimin e takimit me palën kosovare: mospërfundimin e pagesës, mosdërgimin e emrave të delegacionit dhe mungesën e përgjigjeve në komunikimet elektronike.
“Kryeministër, paske provu me ia bartë Prishtinës fajin për dështimin e Lojërave Mesdhetare! Në komunikimin e fundit, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare thotë se takimi është anulu për këto arsye! Pagesa s’është kry. Emrat e delegacionit s’janë dërgu. Nuk jeni përgjigjë në email-a. Kush ka pasë me i bo këto? Qeveria. Qeveria. Qeveria. Qikaq e thjeshtë është!”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Rama, në këtë mënyrë, ia ka atribuuar qeverisë përgjegjësinë për të tria çështjet, duke kundërshtuar interpretimin e Kurtit për përgjegjësinë institucionale në procesin e përgatitjeve për “Prishtina 2030”.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 dhe përbëjnë një prej projekteve më të mëdha sportive që Kosova ka marrë përsipër të organizojë.



