PËR GJITHÇKA FAJTORE OPOZITA, MË MIRË FARE PA TË

15 prill 2026 | 15:40

Shkruan: Hajdin Abazi

Duke i lexuar kohëve të fundit disa deklarata deputetësh të pushtetit dhe sot edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit dhe kryediplomatit të Kosovës z. Konjufca se “Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë!”, logjikisht mund të nxirren dy konstatime të tërthorta: njëri se opozita është aq e fuqishme sa që po e detyron pushtetin të shkojë në zgjedhje që nuk i dashka aspak partia në pushtet, e tjetra se pushteti është aq polite kundrejt opozitës sa po ia përfill vullnetin asaj!
E pra, as njëra e as tjetra nuk janë të vërteta. Madje është krejt e kundërta. Është partia në pushtet ajo që po eskivon dhe po bën manovra skuthërisht, duke deklaruar se do zgjidhje për presidentin e jo zgjedhje, kurse në të vërtetë po bën krejt të kundërtën. Të paktën deri më sot.
Pushteti po krijon opinionin, në frekuenca të njëjta si për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, se opozita është destruktive, dhe kjo konsiston në atë se opozita nuk po bën ashtu sikurse po do pushteti – e një opozitë të tillë fort do ta donte pushteti, porse një e tillë do të ishte vasale e pushtetit.
Në demokraci opozita duhet t’i mbrojë interesat e veta, sepse ashtu e pengon pushtetin të kthehet në autoritarizëm. E pra, me sa duket, pikërisht kjo po e pengon pushtetin. Thjesht, ajo po e sheh opozitën si pengesë për ta kapur tërësisht shtetin një parti e vetme. Prandaj po e fajëson për gjithçka opozitën, sa që krijohet përshtypja se duan ta zhdukin fare! Sipas këtij vizioni, më mirë është fare pa opozitë, se sa me një e cila përpiqet, ani se tejet dobët, të kundërshtojë dhe me këtë të mbrojë sado pak demokracinë.
Është interesant se kudo në vendet demokratike shigjetat e përgjegjësisë i drejtohen pushtetit nga opozita, kurse te ne ndodhë e kundërta: pushteti e lë përgjegjëse opozitën! Në të vërtetë, pushteti e di fare mirë se si duhet vepruar dhe se ç’duhet bërë për të gjetur zgjidhje, porse ajo po shtihet se gjoja po bën gjithçka – kur në fakt ende nuk ka bërë ndonjë gjë serioze dhe të njëmendtë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Të lihet kjo në ditët e orët e fundit është për të ngjallur averzion te elektorati kundrejt opozitës, po jo edhe përpjekje reale për të shmangur zgjedhjet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NP “Termokos” Sh.A. ka marrë vendim, që sot të përmbyllë…