Shala: Projektligji për financimin dhe menaxhimin e burimeve ujore nuk i zgjidh problemet reale, por krijon të reja

16 prill 2026 | 13:28

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka bërë një analizë të Projektligjit për financimin e menaxhimit të burimeve ujore, i cili është propozuar nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka vlerësuar se ky projektligj nuk mbështetet në analizë serioze dhe nuk ofron shtjellim të qartë të çështjeve që pretendon t’i rregullojë.

“Është një tekst i proceduar pa bazë, pa drejtim dhe pa qartësi konceptuale. Për një qeveri që kënaqet me numrin e ligjeve të miratuara, e jo me përmbajtjen dhe efektin e tyre, ky dokument mund të duket i pranueshëm”, ka shkruar Shala në “Facebook”.

Si tillë, Shala ka thënë se ky projektligj nuk i zgjidh problemet reale në këtë fushë, por krijon të reja.

“Ky projektligj nuk zgjidh probleme reale, por krijon të reja. Për këto arsye, ky projektligj nuk duhet të miratohet”, ka shkruar Shala.

Reagimi i plotë i Shalës:

PROJEKTLIGJI PËR FINANCIMIN E MENAXHIMIT TË BURIMEVE UJORE

Ky projektligj, sikurse shumë ligje dhe dokumente të tjera të kësaj qeverie, nuk buron nga një nevojë reale e identifikuar, nuk mbështetet në analiza serioze dhe nuk ofron shtjellim të qartë të çështjeve që pretendon t’i rregullojë.

Është një tekst i proceduar pa bazë, pa drejtim dhe pa qartësi konceptuale.

Për një qeveri që kënaqet me numrin e ligjeve të miratuara, e jo me përmbajtjen dhe efektin e tyre, ky dokument mund të duket i pranueshëm.
Por për këdo që e njeh realisht sektorin e ujërave, ky projektligj nuk mbështetet në baza profesionale, nuk zgjidh asnjë problem konkret dhe, përkundrazi, rrit konfuzionin në menaxhimin e sektorit, duke shtuar ngarkesa dhe ndërlikime të panevojshme mbi problemet ekzistuese.

Nga shqyrtimi i praktikave evropiane rezulton qartë se çështjet e financimit të menaxhimit të burimeve ujore nuk trajtohen përmes ligjeve të veçanta, por janë pjesë integrale e ligjeve për ujërat dhe akteve përkatëse nënligjore. Ky është standard i konsoliduar që siguron koherencë dhe funksionalitet në sektor.
E njëjta qasje është e vendosur edhe në Kosovë përmes Ligjit për Ujërat dhe akteve nënligjore në fuqi.

Për rrjedhojë, ky projektligj nuk sjell risi reale, por tenton të rregullojë një fushë tashmë të mbuluar, duke krijuar mbivendosje dhe rrezik për paqartësi ligjore dhe institucionale.

Megjithatë, edhe nëse pranojmë për një moment se Kosova ka nevojë për një ligj të veçantë në këtë fushë, duhet të shqyrtohet përmbajtja e tij konkrete dhe nëse ajo e justifikon ekzistencën e projektligjit.

• Neni 1 – Qëllimi. Ky projektligj pretendon të rregullojë mënyrën dhe burimet e financimit të menaxhimit të burimeve ujore në Republikën e Kosovës, si dhe pagesat për shfrytëzim dhe shkarkim. Problemi themelor është se në asnjë pjesë të dokumentit nuk ofrohet një sqarim i qartë dhe i mjaftueshëm se çfarë nënkuptohet me “financimin e menaxhimit të burimeve ujore”.
Menaxhimi i burimeve ujore është një nga fushat më të rëndësishme dhe më komplekse për shtetin, ekonominë dhe mjedisin. Ai përfshin një rrjet institucionesh, nga niveli qendror deri te ai lokal, nga autoritetet rregullatore deri te sektorët kyç si industria, bujqësia dhe energjia.
Financimi i këtij sektori nuk nënkupton vetëm mbledhjen e tarifave, por edhe financimin e funksionimit institucional, hartimin e dokumenteve strategjike (si Strategjia për Ujëra), planet e menaxhimit të pellgjeve lumore dhe programet e masave, si dhe zbatimin e tyre në terren.
Ky projektligj, i hartuar pa një kuptim të plotë të këtij kompleksiteti, nuk adreson në asnjë mënyrë financimin real të menaxhimit të burimeve ujore. Përkundrazi, ai reduktohet në një çështje shumë më të ngushtë, e cila tashmë është e rregulluar ligjërisht: pagesat ujore.
Prandaj, ky projektligj nuk i afrohet qëllimit që vetë deklaron në nenin e parë.

• Neni 3 – Përkufizimet. Në këtë nen përmendet “Agjencia për Menaxhimin e Burimeve Ujore”, e cila nuk ekziston në Republikën e Kosovës. Pra, kemi një projektligj që mbështetet në një institucion inekzistent.
Edhe më shqetësues është fakti se themelimi i një agjencie të tillë parashihet në një draft-ligj tjetër për ujërat, i cili ende nuk ka ardhur në Kuvend. Kjo tregon mungesë koordinimi dhe një qasje të fragmentuar në hartimin e legjislacionit.
Gjithashtu, një vërejtje gjuhësore: pse përdoret termi “resurse ujore”, kur ekziston termi i saktë në shqip “burime ujore” v
Nuk ka arsye që në legjislacion të shmanget terminologjia e standardizuar shqipe.

• Nenet 4 dhe 5. Këto nene trajtojnë në thelb të njëjtën çështje. Parimet “ndotësi paguan” dhe “shfrytëzuesi paguan” janë tashmë të përcaktuara qartë dhe të konsoliduara në Ligjin Nr. 04/L-147 për Ujërat e Kosovës.
Për këtë arsye, nuk ka nevojë për një ligj të ri që vetëm përsërit parime ekzistuese.

• Kapitulli 2 – Pagesat ujore. Kjo pjesë përbën dëshminë më konkrete për panevojshmërinë dhe problematikën e këtij projektligji.
Ligji për Ujërat, Nr. 04/L-147, në nenin 91 (“Përcaktimi i lartësisë së pagesës për shfrytëzimin e ujërave”), e rregullon qartë këtë çështje:
– Qeveria, me akt nënligjor, përcakton strukturën e pagesave të ujit;
– kjo strukturë bazohet në parimet “ndotësi paguan” dhe “shfrytëzuesi paguan”.

Pra, korniza ligjore ekziston dhe është e qartë; nuk ka zbrazëti ligjore.

Ndërkaq, projektligji në shqyrtim, në nenin 17, parasheh sërish nxjerrjen e një akti nënligjor për të përcaktuar lartësinë e pagesave.
Një akt i tillë tashmë ekziston dhe rregullon në mënyrë të detajuar këto çështje: Udhëzimi Administrativ (QRK) Nr. 06/2021 për Strukturën e Pagesave të Ujit.
Pra, kemi një dublifikim të panevojshëm: propozohet një ligj i ri për të prodhuar një akt nënligjor që tashmë është në fuqi.
Kjo nuk përbën reformë, por komplikim të mëtejshëm të kornizës ekzistuese.

• Nenet 2, 11, 12 dhe 19. Edhe më problematike është përfshirja e plehrave dhe preparateve për mbrojtjen e bimëve në këtë projektligj:
– Nga përmbajtja krijohet përshtypja se këto produkte paraqesin problemin kryesor të burimeve ujore dhe të financimit të sektorit, gjë që nuk mbështetet në analiza serioze apo të dhëna konkrete;
– Për më tepër, projektligji tenton të hapë rrugë për ndërhyrje fiskale përmes taksave mbi importin apo prodhimin, duke dalë jashtë logjikës së menaxhimit të ujërave dhe duke krijuar pasoja për sektorin e bujqësisë dhe ekonominë në përgjithësi.

• Presionet kryesore mbi burimet ujore në Kosovë janë të njohura: ujërat e patrajtuara urbane, aktivitetet industriale, sektori minerar, energjia dhe, në një masë më të kufizuar, bujqësia.
Megjithatë, nuk ka evidencë të mjaftueshme, të bazuar në raporte publike të institucioneve përgjegjëse, që të justifikojë trajtimin e plehrave dhe preparateve për mbrojtjen e bimëve si burim kryesor të problemit apo si prioritet fiskal.

• Ndonëse ndotja difuze lidhet edhe me aktivitetet bujqësore, vendosja e taksave që dëmtojnë fermerët nuk është zgjidhje. Përkundrazi, ajo dëmton drejtpërdrejt sektorin bujqësor dhe ekonominë e vendit.
Praktika evropiane bazohet në mbështetjen e fermerëve përmes subvencioneve, këshillimit dhe stimulimit për zbatimin e praktikave të mira bujqësore dhe metodave miqësore me mjedisin.

Ky projektligj, në vend të kësaj qasjeje, zgjedh vendosjen e barrës financiare mbi fermerët, pa mekanizma mbështetës dhe pa garanci për përmirësim real të gjendjes së ujërave.

• Nga të gjitha sa u thanë, mund të konstatohet:
– Ky projektligj nuk sjell risi dhe nuk rregullon asnjë fushë konkrete; përkundrazi, krijon mbivendosje dhe konfuzion ligjor;
– Nuk trajton seriozisht kompleksitetin e menaxhimit të burimeve ujore;
– Çështjet që pretendon të rregullojë janë tashmë të mbuluara nga Ligji për Ujërat, Nr. 04/L-147, dhe Udhëzimi Administrativ (QRK) Nr. 06/2021;
– Nëse kërkohen përmirësime, ato duhet të bëhen brenda kornizës ekzistuese ligjore, jo përmes ligjeve të reja të panevojshme;
– Ky projektligj nuk zgjidh probleme reale, por krijon të reja.
Për këto arsye, ky projektligj nuk duhet të miratohet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një sezon ku konkurrenca për golashënuesin më të mirë…