Një muaj paraburgim për katër të arrestuarit në rastin e rreth 18 kg heroinë në Ferizaj
Është caktuar një muaj paraburgim për katër të arrestuarit lidhur me rastin me rreth 18 kilogramë heroinë në Ferizaj.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e kësaj mase në çështjen penale ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh., dhe M.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.D., M.B., S. Sh. dhe M.Sh, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin”, është thënë në njoftim.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata ka thënë se ka vlerësuar që caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje është masë adekuate pasi që, siç thuhet në njoftim, ekziston rrezik real që të pandehurit t’i shmangen procedurës penale dhe të mos i përgjigjen organeve të drejtësisë.
“Gjykata konsideron se natyra e veprave penale për të cilat të pandehurit dyshohen, mënyra e organizuar e kryerjes së tyre, shtrirja ndërkufitare e aktivitetit të dyshuar kriminal, sasia e madhe e lëndës narkotike të sekuestruar dhe fakti se hetimet janë ende në zhvillim dhe përfshijnë analizimin e provave materiale, tregojnë se asnjë masë më e butë nuk do të ishte e aftë të neutralizonte rreziqet konkrete që ekzistojnë në këtë fazë të procedurës”, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë.



