Haxhiu bën homazhe për masakrat në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër: Këto krime nuk mund të fshihen
Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në shënimin e 27-vjetorit të dy prej masakrave që dëshmojnë gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, Masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër.
Ajo ka thënë se në këto dy fshatra, 27 vjet më parë, forcat policore dhe ushtarake serbe kryen një nga krimet më të rënda dhe më çnjerëzore në Kosovë, duke vrarë 77 civilë shqiptarë të paarmatosur.
“Në Poklek u vranë 53 civilë të pafajshëm, prej të cilëve 23 fëmijë nga 6 muajsh deri në 14 vjeç, ndërsa në Çikatovë të Vjetër u vranë 24 civilë të tjerë. Në Poklek, familjet Muqolli, Elshani, Çaraku dhe Hoxha, pasi u detyruan me forcë të kthehen brenda një shtëpie, u ekzekutuan brutalisht me bomba dore dhe automatikë, ndërsa trupat e tyre u dogjën për disa herë me radhë. Djegia e përsëritur e trupave nuk kishte vetëm qëllim fshehjen e krimit, por dëshmonte qartë synimin për shfarosje të plotë. Në Çikatovën e Vjetër, civilët e vrarë u transportuan dhe trupat e tyre u zhdukën në mënyrë të organizuar, duke u groposur në varreza masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Kjo ishte një përpjekje e qëllimshme për zhdukjen e gjurmëve të krimit dhe fshehjen e së vërtetës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka theksuar se këto ngjarje përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit ndaj popullsisë civile shqiptare në Kosovë.
“Autorët e këtyre krimeve edhe pse dihen nuk janë përballur kurrë me drejtësinë. Madje disa prej tyre janë shpërblyer në Serbi. Republika e Kosovës tashmë ka bazën ligjore që mundëson ndjekjen dhe gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës. Ne kërkojmë me vendosmëri që përgjegjësit e këtyre krimeve të ndiqen, të gjykohen dhe të dënohen, qoftë edhe në mungesë. Ne nuk harrojmë. Këto krime nuk mund të fshihen dhe nuk mund të relativizohen. Ato mbeten një plagë e hapur e historisë sonë dhe një thirrje e përhershme për drejtësi. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit!”, ka thënë Haxhiu.



