E akuzoi Haradinajn për dhunë bazuar në thashetheme, tash deputetja e Vetëvendosjes shfajsohet: ‘S’kisha qëllim ta ofendoja’
Pas deklaratave të saj në emisionin ‘Konfront’ duke supozuar pa baza faktike por vetëm në përfolje se Ramush Haradinaj ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortës së tij, Anita Haradinaj, tani deputetja e VV-së, Arjeta Fejza ka deklaruar për media se nuk ka pasur për qëllim ta ofendojë apo ta cenojë në çfarëdo mënyre zonjën Haradinaj, pasi kjo e fundit reagoi ashpër duke i kërkuar deputetës Fejza t’i tërheq fjalët të cilat ajo tha se nëse nuk tërhiqen do t’iu drejtohet organeve kompetente.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Fejza ka thënë se deklarata e saj ishte bazuar në informatat që kishin qarkulluar në media, duke theksuar se mesazhi kryesor i diskutimit të saj ishte se asnjë hapësirë shoqërore nuk është imune ndaj dhunës dhe se duhet të ketë reagim në secilin rast.
“Eshtë nga informatat të cilat kanë qarkulluar nëpër media. Theksi i kritikës sime gjatë diskutimit ka qenë që nuk ka asnjë hapësirë shoqërore e cila është imune ndaj dhunës dhe se ne duhet të reagojmë në secilën rrethanë dhe për secilin rast. Në asnjë moment unë nuk kam pasur qëllim ta ofendoj apo ta cenoj në çfarëdo mënyre zonjën Muçaj-Haradinaj dhe nuk do të doja që fjalët e mia të kuptoheshin si një qëndrim kundër saj, sepse asnjëherë s’ka qenë qëllimi”, tha Fejza.
Fejza kësisoj u mundua të arsyetohet duke theksuar përsëri se ajo ka diskutuar bazuar në informatat të cilat kanë qarkulluar nëpër media duke shpërfaqur se diskutimi i saj nuk është bazuar në asnjë provë ligjore.
Kësisoj, të aludosh për çështje kaq të ndjeshme prej një pozicioni publik dhe zyrtar pa ndonjë bazë ligjore e madje as mediatike është problematike pasi që duke përdorur kauzën kundër dhunës në familje dhe ta lidhësh atë me një rast individual, konkret dhe pa fakte, kauza shndërrohet në mjet cënimi personal.



