Ndeshja ndaj Bayernit, Real Madridi dënohet nga UEFA
Real Madrid i tha lamtumirë Ligës së Kampionëve pasi u mposht nga Bayern Munich në Mynih të mërkurën e kaluar.
Pavarësisht eliminimit, UEFA ka gjobitur klubin madrilen – jo për ndeshjen në “Allianz Arena”, por për atë të zhvilluar një javë më parë në “Santiago Bernabeu”.
UEFA ka bërë të ditura sanksionet për disa klube pas ndeshjeve të kompeticioneve evropiane të javës së kaluar, dhe në mesin e tyre ndodhet edhe Real Madridi.
Klubi “mbretëror” është gjobitur me 20 mijë euro për vonesë në fillimin e ndeshjes së zhvilluar në “Bernabeu” ndaj Bayern Munichut. Për të njëjtën arsye janë ndëshkuar edhe Arsenal dhe trajneri Mikel Arteta, megjithatë në rastin e tyre bëhet fjalë vetëm për paralajmërim dhe jo për gjobë.
Përveç Real Madridit, edhe Athletic Club është ndëshkuar nga UEFA me 16 875 euro për hedhje objektesh në ndeshjen e zhvilluar në “San Mames”, e cila përfundoi me humbje 2-3 për skuadrën baske.



