Bacë Ademi Demaçi, kush ta urojë 28 Nëntorin?

05 dhjetor 2018 | 11:04

Salihe Salihu, PhD dhe veprimtare

Dita e Flamurit Kombëtar është ditë e shenjtë për popullin shqiptar, në veçanti kjo ditë është një ditë më specifike për ne shqiptarët e Kosovës sepse ishte pikërisht ky flamur që na frymëzoi për të luftuar për ta mbrojtur e për ta ruajtur identitetin tonë kombëtar. Ishte flamur kuq e zi, me shqiponjë dykrenare, me të cilën u betuan atdhetarë të gjeneratave të njëpasnjëshme që luftuan për ta ruajtur qenien shqiptare. Me flamur kombëtar të ruajtur në gji shqiptarët brez pas brezi rezistuan çfarëdo politike joshëse që mund ta servonte pushtuesi për të na asimiluar dhe për të na sllavëzuar.

Kjo rezistencë, ky frymëzim, u bartë me guxim të pashoqë e me heroizëm dhe krenari nga disa pishtarë lirie të spikatur, siç ishte bacë Adem Demaçi. Ishte pikërisht bacë Adem Demaçi që u shkrijë si qiriu dhe nuk u pajtua kurrë me asnjë demagogë që largohet prej rrugës së sakrificës për t’i ruajtur vlerat dhe identitetin kombëtar, gjuhën e flamurin e shenjtë si element të patjetërsueshme të identitetit shqiptar.

E tash, pash besën, pa më thuaj bacë, ai iu kujtua ndokujt që të urojnë për këtë ditë? A të erdhi ndonjë person me buqetë lule që të të thotë: të jem mirënjohës bacë për gjithë sakrificën që bërë për këtë vend, popull dhe flamur. E di bacë që ti do të përgjigjesh që: gjithçka çka unë veprova, ishte obligim ndaj atdheut. Kjo është përgjigje e natyrshme që do ta dëgjonim nga Ju – si njeri i sakrificës.

Por, athua a e meriton të harrohesh kaq shpejt. Ndoshta gjithçka u dashka të bëhet shpejt pas vdekjes tënde. Të varrosim shpejt e të mos ftojmë e presim as korin diplomatik në shtetet nga të cilat mund të pritej prania e tyre gjatë ceremonisë së varrimit. Gjithçka u përmbyllë me shpejtësi. E tani, një pullë postale me figurën tënde, bacë, u paraqit në këtë 28 nëntor, por edhe ky nderim u përcoll në heshtje pa ndonjë afirmitet apo pa bujë mediatike.

Mediat ishin vërsulur gjithandej te heronjtë e te figura të tjera, por jo te varri i bacë Ademit Demaçi. Sigurisht se edhe të tjerët janë meritorë dhe pa fije dyshimi që duhej edhe ata të nderohen, por jo para se të nderohet Adem Demaçi. Me këtë gjykim, befas një imazh hipotetik, m’u vërsul nëpër kokë – po sikur të mund të fliste komandat Adem Jashari kur u bëheshin nderime nga shumë personalitete në këtë ditë. Ai sigurisht se do të lutej që së pari ta nderojmë bacë Adem Demaçin për këtë 28 nëntor. Të paktën Adem Jashari do të ishte mirënjohës sepse edhe ai ishte frymëzuar nga shëmbëlltyra e bacë Adem Demaçit.

Në fund fare, uroj që ky imazh hipotetik i lartpërmendur të shërbejë për reflektim në të ardhmen – gjatë festimeve të 28 nëntorit. Vlerat e kombit, si bacë Adem Demaçi, nuk bën t’i lëmë në harresë. Veprimet mosmirënjohëse janë atentat i së nesërmes. Prandaj, na falë bacë Ademi për këtë radhë, se herë tjetër, të paktën, do të na kujtohesh që të ta urojmë 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit me…