16,41 euro – varfëria si strategji politike

18 prill 2026 | 20:59

Nga Arbër Koliqi – Gashi, student i studimeve master në Antropologji në Universitetin e Neuchatel-it

Në Kosovë, një deklaratë e vogël ka bërë shumë zhurmë. Kryeministri shpalli se posedon vetëm 16 euro e 41 cent në llogaritë e tij bankare. Në një vend ku paga mesatare ka mbetur e ulët dhe qytetarët janë mësuar tashmë me lajme për korrupsion, ky njoftim i thjeshtë tingëlloi si revolucion moral. Por në realitet, ky nuk është një rastësim administrativ; është një veprim i menduar, një veprim që i përket fushës së politikës simbolike.
Në çdo shoqëri që vuan nga korrupsioni dhe pabarazia, varfëria e deklaruar përfaqëson dëlirësi morale. Siç argumenton Cas Mudde në librin Populism: A Very Short Introduction (Oxford University Press, 2017), populizmi ndërton një ndarje mes “popullit të pastër” dhe “elitave të korruptuara”. Brenda kësaj logjike, një lider që shfaqet pa pasuri projekton pastërtinë e tij mbi gjithë masën: kush s’ka asgjë, nuk ka ç’rremben; kush nuk zotëron, pra nuk korrupton. Kështu, shifra e vogël në bankë bëhet simbol i ndershmërisë. Në fakt, është momenti kur ekonomia shndërrohet në etikë, dhe etika në strategji elektorale.
Por populizmi nuk funksionon vetëm me simbole; ai kërkon performancë. Në librin The Global Rise of Populism(Stanford University Press, 2016), Benjamin Moffitt argumenton se populizmi funksionon përmes performimit të krizës. Sipas tij, lideri populist luan rolin e njeriut të zakonshëm për ta rindërtuar lidhjen emocionale me qytetarët. Thjeshtësia nuk është gjithmonë stil jetese, por mjet komunikimi: gjuha skrom, pamja e lodhur, gota e kafesë, shifrat e vogla në deklarata, të gjitha këto janë përbërës të një rituali që ushqen mitin e afërsisë mes pushtetit dhe popullit.
Në këtë kontekst, varfëria e deklaruar është lloj i ri “kapitali moral”. Ajo nxit dashuri dhe besim, dy monedhat më të vlefshme të politikës moderne. Por që ky kapital të mbetet aktiv, duhet të mbetet i padukshëm në prapaskenë. Këtu hyn një tjetër dimension i pushtetit, i cili nuk varet më nga pronësia e dukshme. Në librin Putin’s Kleptocracy: Who Owns Russia? (botuar nga Simon & Schuster më 2014), politologia amerikane Karen Dawisha përshkruan se si në regjimet moderne autoritare, pasuria shpërndahet në emra të tjerë, ndërsa kontrolli real mbetet në duart e liderit. Siç tregon ajo, në këto sisteme pasuria nuk matet domosdoshmërisht me atë që zotërohet drejtpërdrejt, por me atë që kontrollohet përmes rrjeteve të afërta. Ky koncept, kontroll pa pronë, shpjegon se si një politikan mund të paraqitet i varfër, por të ushtrojë ndikim të gjerë mbi burime ekonomike, përmes rrjeteve të afërta, partnerëve apo miqve që luajnë rolin e mburojave financiare.
Në këtë mënyrë, varfëria e deklaruar nuk është domosdoshmërisht mungesë pasurie. Ajo është ndonjëherë formë kamuflazhi legjitim, mënyra se si politika krijon një hapësirë ndërmjet dukjes dhe realitetit. Kjo hapësirë është thelbësore për ta mbajtur figurën politike të pastër në publik, ndërsa realitetin ekonomik e lë në mjegull.
Lektura e teoricienit argjentinas Ernesto Laclau, në librin On Populist Reason (Verso 2005), ndihmon të kuptojmë këtë mekanizëm. Laclau shpjegon se populizmi prodhon një identitet kolektiv përmes asaj që ai e quan “zbrazje të përmbajtjes”, pra kur konceptet mbushen me kuptime emocionale të ndryshme nga publiku: fjalët e mëdha, “populli”, “varfëria”, “drejtësia”, humbin kuptimin e tyre konkret për t’u mbushur me emocione dhe dëshira të paartikuluara. Në këtë proces, shifra 16,41 euro shndërrohet në signifikant bosh, një simbol ku çdo qytetar projekton zhgënjimin dhe shpresën e vet.
Modele të ngjashme mund të vërehen edhe në kontekste të tjera politike. Në Hungari, Viktor Orbán pozon si babai i popullit ndërsa miqtë e tij bëhen oligarkë. Në Itali, Silvio Berlusconi predikon moralin familjar nga sipërmarrje me interesa miliardëshe. Në SHBA, Donald Trump u bë “njeriu i fshatit kundër elitave të Wall Street-it”, megjithëse vetë frymon brenda tyre. Parimi është gjithmonë i njëjtë: morali si dekor i pasurisë.
Por pse ky mekanizëm vazhdon të funksionojë? Përgjigjja qëndron në raportin emocional që krijon populizmi me frikën dhe resentimentin shoqëror. Në një shoqëri ku pabarazia perceptohet si tradhti, çdo lider që shfaqet pa pasuri ngjall empati; ai bëhet “ne në pushtet”. Sidomos në vende të trazuara ekonomikisht, varfëria e liderit është element i ekuilibrit simbolik, një garanci që pushteti mbetet “popullor”.
Në fund, 16 euro e 41 cent nuk janë as provë ndershmërie dhe as provë mashtrimi. Ato janë shenja e një epoke ku transparenca shërben më shumë si ritual sesa si realitet. Ajo që dikur ishte turp, që një kryeministër të ketë pak, sot është virtyt. Dhe ndoshta ky është paradoksi më i madh i demokracive të lodhura: politika, që duhej të pasqyronte fuqinë kolektive, tani fiton popullaritet duke simuluar varfërinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fare pak ditë pasi filloi ushtrimin e detyrës së postit…