Djali i Sali Çekaj: Nëna ime i pa lotët e babit ditën që na vendosi çantat e shkollës dhe u nis drejt Kosovës

19 prill 2026 | 15:15

Është mbajtur akademia përkujtimore me rastin e ditës së Veteranëve të Betejës së Koshares dhe përvjetorit të rënies së Sali Çekaj.

Hysen Çekaj, djali i dëshmorit Sali Çekaj me një rrëfim personal ka përkujtuar babain e tij si dhe momentet e tij të fundit me të që ishin në festën e Vitit të Ri 1998-1999.

“Për veteranët e Betejës së Koshares, ju që e dini më së miri kush do tjetër çfarë ndodhi atje në ato 10 ditë që shkruan histori. 19 prilli nuk është vetëm datë në kalendar për familjen tonë, është dita kur Kosova mësoi se liria ka çmim dhe çmimi është gjaku i trimave. Të nderuar të pranishëm, më lejoni që për një moment të flas jo si folës zyrtar, por si djali i Sali Çekajt. Takimi im i fundit me babën ishte viti i ri ’98-’99 dhe pas asaj dite gjithçka që kisha prej tij ishte kujtim. Fytyra e tij, zëri i tij, duart që më ledhatonin, gjithçka. Në momentet më të vështira të jetës sime, ai kujtim ishte forca ime e vërtetë, sepse pjesën më të madhe të jetës kujtimi ishte gjithçka që kisha nga babai im. Por kujtimi im për babën nuk është vetëm kujtim, është edhe shpresë. Djalin tim e kam quajtur Sali dhe tek Saliu i ri më duket se e shoh amanetin e Saliut të vjetër për të ardhmen. Mandatin e kaluar u zgjodha deputet në Kuvendin e Kosovës dhe njerëz, miq, bashkëpunëtorë, familjarë më pyetnin se çfarë më shtyu të kthehesha nga Gjermania, ku kisha organizuar jetën, në Kosovë për t’u marrë me politikë. Nuk e kam thënë kurrë publikisht, por po e them sot se Kosova është kujtimi im për babën tim dhe unë nuk kam diçka më të çmuar në jetë”.

“Prandaj Kosova është dhimbja dhe gëzimi im më i mirë; besoj se për ne, ashtu edhe për çdo familje dëshmori, kur e shohim Kosovën mirë është gëzimi ynë më i madh dhe kur e shohim Kosovën keq është dhimbja jonë më e madhe. Andaj nga ky vend, nga kjo ngjarje, nga ky përkujtim, ju lutem secilit këtu: punoni fort, bashkohuni, nderoni njëri-tjetrin për Kosovën, sepse çdo emër dëshmori në Kosovë nuk është vetëm kujtim, është pyetje nëse po e meritojmë lirinë”.

“Babai im besonte në bashkim, jo në përçarje partiake; për të lufta ishte e shqiptarëve dhe për shqiptarët, pavarësisht rajonit apo pikëpamjeve ideologjike-politike. Ai punoi me Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin, Sali Berishën e Azem Hajdarin, Hafiz Gagicën dhe Donika Gërvallën, organizoi luftën krah për krah me Adem Jasharin e Zahir Pajazitin, dhe komandoi me Tahir Zemajn, Rrustem Bruçin, Agim Ramadanin e Rrustem Berishën. Nuk pyeste nga cili grup je, pyeste a je gati të luftosh për Kosovën. Kosova e tij ishte një, flamuri i tij ishte një, armiku i tij ishte një. Të nderuar të pranishëm, ka një kategori njerëzish që rrallë përmenden në akademi zyrtare, por pa të cilët asgjë nuk do të ishte e mundur. Sot populli e njeh Sali Çekajn si hero, bashkëluftëtarët e njohin si komandant dhe mik, shteti i ka dhënë tituj e Deçani i ka ngritur statujë, dhe të gjithë me praninë dhe përkujtimin e tyre na shtojnë krenarinë” ka thënë Çekaj.

Ai  ka thënë se për sakrificën e heroit, e kupton më së miri nëna e tij e cila ia pa lotët e Çekajt ditën që ua vendosi çantat e shkollës fëmijëve të tij.

“Për një person, vetëm një person që e kupton sakrificën më së thellë se kushdo tjetër është ajo zonja e ulur aty, nëna ime. Ajo ia pa lotët babit ditën pasi na vendosi çantat në shpinë dhe na përcolli në shkollë, pastaj u bë gati për t’u nisur drejt Kosovës. Ajo na rriti e vetme në Gjermani, punoi pa ndaluar madje pa ditur gjuhën. Por vetëm zemra e saj dhe zemrat e grave si ajo e kuptojnë sakrificën reale për të cilën u shkrua, u fol, u këndua dhe përkujtohet vit pas viti. Nderim, respekt për secilën nënë, grua dhe motër që bartën sakrificën në heshtje. Faleminderit nënë. Nga babi im mësova se dashuria për atdheun nuk matet me fjalë, po me sakrificë. Dhe në fjalët e tij që mbetën si testament për të gjithë ne, gjendet një porosi e pavdekshme: A duhet që shqiptarët t’i bashkojnë vetëm tragjeditë dhe rreziqet e mëdha? Fatkeqësisht kjo shpesh na ka ndodhur deri më sot. Nesër kjo nuk guxon të ndodhë më. Të jemi bashkë dhe unik para dhe pas rrezikut. Këto fjalë sot le të jenë udhërrëfyes për të gjithë ne në Kosovë, në Shqipëri, në mërgatë, kudo që jetojnë shqiptarët. Zoti i bekoftë dëshmorët tanë, Zoti e bekoftë Kosovën”, ka deklaruar Çekaj. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka bërë me dije se…