“Revolta e Syzifit”, dhimbje kolektive e popullit tonë
Ramadan Avdiu
Të nderuar anëtarë të familjeve Muçolli, Elshani dhe Caraku,
Të nderuar familjarë të heronjve dhe dëshmorëve,
Të nderuar deputetë, profesorë, veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm
Zonja dhe zotërinj,
Romani dokumentar “Revolta e Syzifit” i autorit Bardhyl Mahmuti, të cilin po e promovojmë sot në përvjetorin e 27 të aktit gjenocidal të kryer nga forcat e armatosura serbe në shtëpinë e familjes Muçolli në Poklek të Vjetër, të cilën shtëpi pushtuesit serbë e shndërruan në krematore më 17 prill të vitit 1999, është një dëshmi e fuqishme artistike dhe historike, që përshkruan një nga tragjeditë më të rënda gjatë luftës në Kosovë.
Atë ditë në fshatin Poklek, në shtëpinë e familjes Muçolli, u krye një ndër aktet më të tmerrshme të gjenocidit ndaj popullatës civile shqiptare. 53 jetë të pafajshme u shuan brutalisht. Policët serb fillimisht vranë të zotin e shtëpisë Sinan Muçolli dhe shkrimtarin e njohur Ymer Elshani, për të shkuar pastaj drejt shtëpisë ku në dhomën e ditës u vranë edhe 51 shqiptarë 26 fëmijë, 5 të rinj dhe 20 gra.. Kjo masakër nuk ishte thjesht një krim lufte; ishte një përpjekje për zhdukje, për shuarje të një identiteti, të një populli si të tillë.
Në qendër të këtij romani qëndron figura simbolike e Syzifit – një emër që në mitologjinë e lashtë përfaqëson vuajtjen e përjetshme, barrën e rëndë dhe përpjekjen e pafundme. Pas këtij emri, fshihet një njeri real, Fadil Muçolli, një familjar që humbi pothuajse gjithçka në atë krim. Përmes Syzifit, autori nuk na jep vetëm një histori personale, por një pasqyrë të dhimbjes kolektive të një populli. Pra Syzifi nuk është vetëm një personazh, ai është:
Simbol i njeriut që përballet me të pamundurën.
Simbol i kujtesës që nuk shuhet.
Simbol i revoltës që lind nga padrejtësia.
“Revolta e Syzifit” nuk është një rrëfim i zakonshëm. Është një ndërthurje e dokumentit dhe artit, e faktit historik dhe ndjeshmërisë njerëzore. Bardhyl Mahmuti ka arritur të ndërtojë një monument letrar, ku çdo fjali është një gur kujtese, çdo paragraf një dëshmi që sfidon harresën.
Ky roman nuk synon vetëm të tregojë çfarë ndodhi, por pse duhet ta kujtojmë. Në një kohë kur e vërteta shpesh relativizohet, kur krimet tentohen të zbehen ose të mohohen, kjo vepër vjen si një akt rezistence. Është një klithje, është një revoltë ashtu siç sugjeron edhe titulli, kundër harresës, kundër padrejtësisë, kundër heshtjes.
Autori me mjeshtëri artistike e ka skalitur dhimbjen me fjalë. Ai, e trajton tragjedinë me dinjitet, duke i dhënë zë atyre që nuk mund të flasin më. Në këtë mënyrë, viktimat nuk mbeten thjesht numra, ato kthehen në histori, në fytyra, në jetë të ndërprera padrejtësisht.
Përtej dhimbjes, “Revolta e Syzifit” mbart edhe një mesazh të fuqishëm qëndrese. Edhe pse i goditur rëndë, njeriu nuk dorëzohet plotësisht. Kujtesa bëhet formë rezistence. Rrëfimi bëhet mënyrë për të jetuar përtej tragjedisë. Dhe letërsia, në këtë rast, shndërrohet në një mjet për të ruajtur të vërtetën.
Ky roman është gjithashtu një thirrje për ndërgjegjësim. Ai na kujton se drejtësia nuk është vetëm çështje e së kaluarës…
Romani ndërtohet mbi tri pjesë dhe një epilog, duke krijuar një strukturë që pasqyron një dramë në skenë të mbyllur, por me jehonë të hapur në ndërgjegjen tonë.
Në pjesën e parë, ne shohim Syzifin si një zë të fuqishëm në një konferencë ndërkombëtare në Tiranë, ku ai përpiqet të argumentojë se në Kosovë ka ndodhur gjenocid. Përballë skepticizmit dhe relativizimit, vendosmëria e tij shpesh quhet “punë Sizifi”. Por pikërisht këtu qëndron thelbi i romanit, lufta për të vërtetën është e vështirë, shpesh e përsëritur dhe e lodhshme, por kurrë e kotë. Ilustrimin më të mirë të kësaj e bënë me këmbënguljen e armenëve për të njohur gjenocidin e ushtruar kundër tyre nga Perandoria Osmane në vitet 1915-1916. Pesëdhjetë vjet më vonë ishte parlamenti i Urugait i pari që e njohu krimin e gjenocidit kundër armenëve dhe si rezultat i ruajtjes në kujtesë dhe këmbënguljes së armenëve sot janë mbi 100 shtete që e kanë njohur krimin gjenocidit e ushtruar mbi atë popull.
Në pjesën e dytë, rrëfimi bëhet më personal, më i rëndë, më i drejtpërdrejtë. Syzifi rrëfen për atë që kishte ndodhur, për barbarinë që kishte parë, për shtëpinë e shndërruar në kremator, për trupat e djegur, për gjakun që nuk thahej as nga zjarri. Ai rrëfen për përpjekjen e forcave serbe për të zhdukur gjurmët e krimit, duke tentuar që eshtrat e djegura t’i zhdukin dhe ti lënë viktimat pa varr, gjë që ishte brenga më e madhe e nënës Leme ditën e fundit që ishte ndarë nga djemtë Fadili, Qamili dhe Skenderi të cilët po shkonin në pozicione si ushtarë të UÇK.., Rrëfen edhe për peripecitë e luftëtarëve të UÇK-së, të cilët me guxim shpëtuan mbetjet mortore për të ruajtur të vërtetën.
Në pjesën e tretë, rrëfimi zgjerohet përtej një familjeje, përtej një shtëpie, përtej një vendi të vetëm. Syzifi bëhet dëshmitar i një tragjedie të përhapur në më shumë lokalitete në Kosovë. Ai dëgjon, përjeton dhe përçon histori të ngjashme dhimbjeje, ku civilë të pafajshëm – fëmijë, gra, pleq, u vranë, u dogjën kurse mbi 6000 prej tyre u zhdukën me forcë.
Këto nuk janë vetëm rrëfime individuale. Këto janë pjesë e një tabloje të madhe që dëshmon për një qëllim të qartë: shkatërrimin fizik dhe shpirtëror të një populli, të identitetit të tij, të kulturës dhe historisë së tij.
Dhe në këtë mes, një detaj i vogël bëhet simbol i madh: ora e babait të Syzifit. Me xham të shkrirë dhe akrepa të ngrirë, ajo përfaqëson kohën që është ndalur në momentin e tragjedisë..
Të nderuar të pranishëm,
Ky roman nuk kërkon vetëm të lexohet. Ai kërkon të dëgjohet, të kuptohet dhe të përjetohet. Ai na sfidon të mos qëndrojmë indiferentë. Na kujton se e vërteta nuk është gjithmonë e lehtë për t’u pranuar, por është e domosdoshme për t’u mbrojtur.
Në Kosovë gjatë luftës, forcat e armatosura serbe vranë mbi 12 mije civil shqiptarë ; 1392 fëmijë, 1739 gra dhe mijëra të rinj pleq e plaka; përdhunuan seksualisht rreth 20 mijë femra dhe meshkuj shqiptarë; shkatërruan e dogjën 100 589 shtëpi dhe 88 101 objekte të tjera ndihmëse, që ishin pronë e shqiptarëve; 358 shkolla, 30 shtëpi kulturore, 93 biblioteka, 123 institucione shëndetësore dhe 220 objekte të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike) dhe dëbuan me dhunë rreth 1 milion shqiptarë që kishin mbetur pa u vrarë.
Të gjitha këto krime janë akte materiale, që dëshmojnë për qëllimin e Serbisë, që në aspektin e shkatërrimit fizik dhe biologjik, të shkatërrojë pjesërisht grupin etnik shqiptar si të tillë, dhe tërësisht çdo gjë që lidhet me identitetin historik, kulturor, fetar dhe pronësor të shqiptarëve të Kosovës.
27 vjet pas ushtrimit të gjenocidit në Kosovë, kriminelët nuk janë dënuar…
Sot po synohet të dënohen jo ata që e ushtruan krimin e gjenocidit në Kosovë, por viktimat, ata që e përjetuan gjenocidin. Kjo është kulmi i absurditetit.
Letërsia si kjo e Bardhyl Mahmutit ka një rol të pazëvendësueshëm. Ajo nuk lejon që këto histori të zhduken. Ajo i jep zë atyre që nuk mund të flasin më. Ajo e shndërron dhimbjen në kujtesë dhe kujtesën në ndërgjegje.
“Revolta e Syzifit” është, në thelb, një revoltë kundër harresës. Një revoltë kundër mohimit. Një revoltë kundër padrejtësisë.
Sot pyetja që duhet t’i bëjmë vetes sot është: a jemi ne të gatshëm ta mbajmë këtë revoltë gjallë? A jemi të gatshëm të mos lejojmë që e vërteta të zbehet me kalimin e kohës, por të ndjekim shembullin e popullit armen dhe të këmbëngulim në argumentimin dhe ndëshkimin e kriminelëve që ushtruan gjenocid mbi popullin shqiptar.
Kujtesa për krimin e gjenocidit nuk është vetëm përgjegjësi e atyre që e përjetuan dhe pësuan por është përgjegjësi e të gjithëve neve e në radhë të parë e institucioneve shtetërore.
Epilogu, ashtu si edhe prologu, na rikthen te përpjekja e Syzifit – alias Fadil Muçollit, për ta ruajtur shtëpinë kremator dhe për ta shndërruar atë në muze. Një përpjekje për ta kthyer vendin e krimit në vend kujtese.
Dhe pikërisht këtu shpërthen një nga momentet më tronditëse të romanit.
Kur Syzifi kupton se punëtorët e angazhuar nga Agjencia për Ruajtjen e Monumenteve po fshijnë gjurmët dhe i po mbulojnë njollat e gjakut në bodrum me llaç e suvatim, po pastrojnë tullat me benzinë – ai përballet me një dhimbje të re, po aq të rëndë sa ajo e krimit vetë.
Syzifi e humb kontrollin, sepse ai mendon se ky hap ndikon në relativizimin e krimit. Por, përkundër mbulimit të njollave të gjakut, Ai e ndjen se ajo shtëpi vazhdon të “kullojë gjak”. Çdo tullë, çdo tra, çdo shtyllë mbart dëshmi. Dhe kjo ndjenjë përçohet edhe te lexuesi.
Është e pamundur ta lexosh këtë roman pa e ndjerë se 312 faqe të tij janë të mbushura me dhimbje, dhe çdo faqe kullon gjak.
Në këtë kontekst, edhe 114 fotografitë e përfshira në libër marrin një dimension të veçantë. Ato nuk janë thjesht ilustrime. Ato janë dëshmi.
Rrëfimi i Syzifit është i rëndë. Ai gjithmonë bart mbi supe një peshë dhimbjeje njësoj siç kishte bartur thasët me hirin dhe kristalet e eshtrave të fëmijëve të tij që pak kush mund ta përfytyrojë.
Autori Bardhyl Mahmuti ka arritur të bëjë atë që duket e pamundur: ta përmbledhë këtë dhimbje, këtë histori, këtë dëshmi në një roman dokumentar, pa e zbehur asnjëherë të vërtetën e saj. Prandaj, kjo vepër është më shumë se letërsi. Është kujtesë. Është dëshmi. Është revoltë.
Në përmbyllje, dua të shpreh mirënjohjen për autorin Bardhyl Mahmuti për këtë vepër të jashtëzakonshme, e cila i jep zë së vërtetës dhe i kundërvihet harresës.
Le të jetë “Revolta e Syzifit” jo vetëm një libër në duart tona, por një zë që troket në ndërgjegjen tonë.
Një kujtesë që nuk shuhet.
Një dëshmi që nuk mohohet dhe një revoltë që duhet të vazhdojë.
Ju faleminderit!



