Ministrja Kusari-Lila prezanton paketë masash për zhvillim ekonomik, tregti dhe inovacion

20 prill 2026 | 16:07

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të hënën prezantoi një sërë iniciativash që synojnë forcimin e zhvillimit ekonomik, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe avancimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë në vend.

Në fokus të prezantimit ishin marrëveshjet tregtare, reformat ligjore dhe mekanizmat mbështetës për bizneset, të cilat pritet të ndikojnë në rritjen e eksporteve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e klimës së investimeve në Kosovë.

Sipas ministres, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me shtetet e EFTA, përfshirë Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, parasheh eliminimin e tarifave për shumicën e produkteve industriale, përmirësimin e qasjes në tregjet bujqësore dhe përfshirjen e shërbimeve si ato financiare, IT, transport dhe turizëm.

Po ashtu, protokollet 5, 6 dhe 7 të CEFTA synojnë lehtësimin e procedurave tregtare, liberalizimin e tregtisë së shërbimeve dhe krijimin e mekanizmave më efikas për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në përputhje me standardet e OBT-së dhe Bashkimit Evropian.

Në kuadër të reformave ligjore, u prezantua edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili parasheh krijimin e Fondit për Inovacion përmes granteve, subvencioneve dhe mbështetjes për startup-et, teknologjinë, patentimin dhe zhvillimin e bizneseve.

Gjithashtu, parashihet zhvillimi i infrastrukturës inovative, përfshirë parqet teknologjike, inkubatorët dhe klasterët, si dhe krijimi i Këshillit Kombëtar për Inovacion.

Ministrja bëri me dije se do të forcohet edhe kontrolli i tregtisë së mallrave strategjike, duke harmonizuar legjislacionin me rregullat e Bashkimit Evropian për mallra me përdorim të dyfishtë.

Ajo theksoi se synimi i këtyre iniciativave është rritja ekonomike, shtimi i eksporteve, krijimi i vendeve të reja të punës dhe rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve kosovare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës po merr pjesë…