Guvernatori Ismaili pret në takim anëtarin e Bordit të Drejtorëve të BERZH-it
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, priti në takim Anëtarin e Bordit të Drejtorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) si dhe drejtor i Konstituencës ku bën pjesë Kosova, Brendan O’Connor, i shoqëruar nga Anëtari Zëvendësues i Bordit të Drejtorëve të BERZH-it si dhe Anëtari Zëvendësues i Konstituencës ku bën pjesë Kosova, Anders Garly Andersen.
Guvernatori Ismaili e informoi O’Connor mbi zhvillimet në sektorin financiar në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit bankar, avancimin e rregullativës dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mbikëqyrjes financiare.
Guvernatori Ismaili theksoi se sektori financiar në vend vazhdon të karakterizohet me likuiditet të lartë, mirë i kapitalizuar dhe performancë të qëndrueshme.
Në vijim të takimit, guvernatori Ismaili foli mbi zhvillimet makrofinanciare, duke përfshirë trendet ekonomike, inflacionin dhe sfidat globale që ndikojnë në ekonominë e vendit tonë.
U theksua rëndësia e koordinimit të politikave dhe forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar në një mjedis gjithnjë e më kompleks.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua bashkëpunimit ndërmjet BQK-së dhe BERZH-it, ku u vlerësua partneriteti i deritanishëm dhe shpreh gatishmëria për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në mbështetje të zhvillimit të tregjeve financiare dhe rritjes së qasjes në financa.
Gjithashtu, u fol edhe për projektet aktuale dhe të ardhshme të BERZH-it në Kosovë, me fokus në sektorin financiar, digjitalizimin dhe përkrahjen e sektorit privat.
U theksua rëndësia e këtyre projekteve për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.
Në përmbyllje të takimit, guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e vazhdueshme të BERZH-it ndaj Kosovës, duke vlerësuar kontributin e saj të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit financiar dhe ekonomisë në përgjithësi.
Ai theksoi përkushtimin e BQK-së për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me BERZH-in në të ardhmen.



