Dokumenti i EPP-së për SNS-në e Vuçiqit: Hetim për Banjskën, shkëputje nga Putini e Shesheli dhe braktisje e ideologjisë së ‘Botës Serbe’
Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duhet të mbështesë ndjekjen penale të organizatorëve dhe pjesëmarrësve kryesorë në sulmin terrorist në Banjskë, si dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Kjo është njëra nga kërkesat e përfshira në dokumentin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), që trajton statusin e SNS-së në këtë organizatë politike evropiane dhe në të cilin ka pasur qasje mediumi serb “N1”.
Në dokument kërkohet që SNS-ja të bashkëpunojë aktivisht në hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin në Banjskë, të ndodhur në shtator të vitit 2023. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur vazhdojnë pikëpyetjet për vendndodhjen e Milan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, ndaj të cilit në Serbi po zhvillohen hetime lidhur me këtë sulm.
Sipas raportimit të BIRN-it, Radoiçiqi nuk është paraqitur më 15 nëntor në stacionin policor të Savski Venacit, ndonëse gjykata ia kishte caktuar obligimin që të paraqitej dy herë në muaj. Ndërkaq, ish-inspektori i BIA-s, Milan Zvezdanoviq, ka deklaruar për “N1” se, sipas informacioneve të tij jozyrtare, Radoiçiqi kishte lënë Serbinë më 12 nëntor dhe ishte nisur drejt Moskës. Ky pretendim nuk është konfirmuar nga institucionet përgjegjëse.
Shtatë fusha ku EPP-ja kërkon ndryshime nga SNS-ja
Dokumenti i EPP-së përmban shtatë fusha në të cilat kërkohen ndryshime konkrete nga partia e Vuçiqit. Për këtë parashihet një periudhë njëvjeçare monitorimi, nga dhjetori i vitit 2026 deri në dhjetor të vitit 2027.
Gjatë kësaj periudhe, SNS-ja duhet t’i raportojë çdo muaj me shkrim Presidencës së EPP-së për veprimet e ndërmarra. Po ashtu, parashihet edhe një mision vëzhgues në Beograd, i cili mund të zhvillohet në pranverën e vitit 2027.
Presidenca e EPP-së ka propozuar pezullimin e SNS-së, ndërsa 8 dhjetori është caktuar si datë për diskutimin dhe vendimmarrjen e Asamblesë Politike të kësaj organizate në Bruksel për statusin e ardhshëm të partisë serbe.
Në dokument thuhet se Serbia, gjatë qeverisjes së SNS-së, ka shënuar regres të vazhdueshëm në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit, proceseve zgjedhore, pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së mediave. Po ashtu, përmenden lidhjet me krimin e organizuar.
Një pikë e veçantë kritike është edhe roli i udhëheqjes së SNS-së në organizimin e varrimit me mbështetje shtetërore të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.
Kërkohet hetim për “Informer”-in dhe ndalimi i përdorimit të mediave ruse
Në fushën e mediave, EPP-ja kërkon nga SNS-ja bashkëpunim të plotë në hetimet eventuale të organit rregullator të mediave REM për televizionin “Informer” dhe mediumin “Informer TV”.
Gjithashtu, kërkohet respektimi i masave ligjore që mund të dalin nga këto hetime. Mediat e afërta me pushtetin në Serbi cilësohen në dokument si burime të dezinformimit dhe të retorikës antievropiane.
EPP-ja kërkon që SNS-ja të ndalojë përdorimin e mediave ruse “Russia Today” dhe “Sputnik” si platforma komunikimi dhe të mbështesë heqjen e licencave të tyre në Serbi.
Partisë i kërkohet gjithashtu të bashkëpunojë me qeverinë e re për forcimin e mediave të pavarura dhe krijimin e një Këshilli Rregullator të Mediave (REM) të paanshëm dhe funksional.
Kërkohet hetim për tragjedinë në Novi Sad dhe publikimi i listës së të falurve
Në pjesën që trajton luftën kundër korrupsionit, dokumenti kritikon faljet e dhëna nga Vuçiqi para largimit nga detyra, duke vlerësuar se ato minojnë parimin e përgjegjësisë dhe luftën kundër korrupsionit.
EPP-ja kërkon publikimin e listës së plotë të 49 personave të falur dhe rishqyrtimin e masave për përcaktimin e përgjegjësisë.
Megjithatë, lista tashmë është publikuar nga Ministria e Drejtësisë në fillim të nëntorit. Në mesin e personave të falur janë edhe Dijana Hrkaloviq, Marko Pavlloviq, Boban Gjunqi dhe Igor Novakoviq, si dhe aktivistë nga Novi Sadi.
Po ashtu, nga udhëheqja e SNS-së kërkohet bashkëpunim aktiv në një hetim transparent dhe në ndjekjen penale të përgjegjësve për tragjedinë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor të vitit 2024.
Shkëputje nga radikalët e Sheshelit dhe bashkëpunimi me Putinin
Një tjetër kërkesë e rëndësishme e EPP-së është ndërprerja e bashkëpunimit politik dhe zgjedhor me Partinë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit.
Deputetët e radikalëve të zgjedhur në listën e SNS-së duhet të formojnë grup të veçantë parlamentar, ndërsa bashkëpunimi me ta duhet të reduktohet në minimum.
Dokumenti kërkon edhe ndërprerjen e bashkëpunimit politik me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe përfaqësuesit e tjerë të lartë të pushtetit në Rusi. Kjo përfshin edhe kontaktet me partinë “Rusia e Bashkuar”, pjesëmarrjen në aktivitetet e saj dhe ftesat për përfaqësuesit e saj në tubimet e SNS-së.
SNS-së i kërkohet të mbështesë harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me atë të Bashkimit Evropian, vendosjen dhe zbatimin e sanksioneve ndaj Rusisë, si dhe parandalimin e shmangies së tyre. Po ashtu, kërkohet vazhdimi dhe forcimi i mbështetjes për Ukrainën.
Në dokument kërkohet edhe heqja dorë nga mbështetja për tubimet që ofrojnë alternativa ndaj rrugës evropiane të Serbisë, si konferenca “BRICS – Serbia mes miqve”.
Kërkohet braktisja e ideologjisë së “Botës Serbe”
Në raportin e EPP-së kritikohet edhe afrimi i Serbisë me Kinën në fushën ushtarake, të sigurisë dhe të mbikëqyrjes. Në veçanti, përmendet memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet SNS-së dhe Partisë Komuniste të Kinës, për të cilin kërkohet ndryshim i qasjes.
Sa u përket marrëdhënieve me vendet fqinje, EPP-ja kërkon që SNS-ja të heqë dorë nga ideologjia e të ashtuquajturës “Botë Serbe”, të mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, të kundërshtojë separatizmin dhe të mbështesë rrugën evropiane të Malit të Zi.
Po ashtu, kërkohet që udhëheqja e SNS-së të ndalojë akuzat ndaj qeverive të vendeve anëtare të BE-së për organizimin e revolucioneve në Serbi, si dhe sulmet dhe fyerjet ndaj politikanëve evropianë dhe partive simotra.
Një pjesë e veçantë e dokumentit i kushtohet edhe trashëgimisë së Sllobodan Millosheviqit, duke kërkuar ndërprerjen e glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe mohimit të krimeve të tyre. Këndimi i këngëve që lavdërojnë Ratko Mlladiqin gjatë natës zgjedhore cilësohet si poshtërues.
SNS-ja do të monitorohet për një vit
Sipas dokumentit, periudha e monitorimit do të zgjasë nga dhjetori i vitit 2026 deri në dhjetor të vitit 2027. Një raport i ndërmjetëm mund të publikohet në qershor, bazuar në gjetjet e misionit vëzhgues në Beograd.
Pas përfundimit të kësaj periudhe, EPP-ja do të vlerësojë rezultatet dhe do të shqyrtojë hapat e mëtejshëm ndaj SNS-së, përfshirë pezullimin, përjashtimin ose rikthimin e statusit të saj.



