Shiroka-Pula takon Grupin Punues për procedurat e Apelit
Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, sot është mbajtur një takim me Grupin Punues për hartimin dhe harmonizimin e Strategjisë Shtetërore lidhur me procedurat e Apelit para Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në njoftim është bërë e ditur se gjatë takimit, kryesuesi i Grupit Punues për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në Apel, Glauk Konjufca, dhe anëtarët e grupit e kanë informuar presidenten Shiroka-Pula për ecurinë e deritashme të punës.
Gjithashtu, është diskutuar për mbarëvajtjen e punës me qëllim të koordinimit ndërinstitucional, si dhe për mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike për procesin e Apelit.
Presidentja Shiroka-Pula ka shprehur mbështetjen për Grupin Punues, me qëllim të bashkërendimit të veprimeve ndërinstitucionale dhe diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës dhe të rolit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.



