Haliti: Po të ishte Rugova gjallë, s’do t’i humbte zgjedhjet asnjëherë, por ku ka mbetur sot LDK-ja…
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se duhet të ketë reflektim për mënyrën e organizimit të partive.
Ai ka folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila, sipas tij, nuk do t’i kishte humbur asnjëherë zgjedhjet po të jetonte ende lideri i saj historik, Ibrahim Rugova.
“Po mendoja dje për LDK-në… Të gjithë thonë ‘jemi rugovistë’. Por ku ka mbetë partia? Me pasë qenë Rugova gjallë, s’i kish humbë asnjëherë zgjedhjet. Por tani këta s’janë më, se s’është Rugova. Tash duhet me e gjetë mënyrën se si të organizohen”, ka thënë ai në një intervistë në TV “Arbëria”.
Haliti ka thënë se edhe PDK-ja duhet të shohë se çfarë praktike të zgjedhë.
“Edhe ne, e kemi pasë edhe Hashimin, por edhe pastaj Kadriun kryetar, por ka vazhdu ai brumi organizativ që e kemi pasë. Por tani duhet ta shohim si të organizohemi, ku i kemi të metat në organizim, cilën praktikë duhet ta marrim. Praktikën e vjetëruar? Se duhet ta shohim a është vjetëru ajo, a kemi të meta në organizim, a kemi të meta në program, në statut, a është mirë me qenë pak më ndryshe mënyra se si zgjedhen, se si përfaqësohen njerëzit”.
“Të gjitha këto kërkojnë një analizë dhe kërkojnë veprim”, ka thënë Haliti.



