Fillon puna për hartimin e Strategjisë për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi në sistemin prokurorial

22 prill 2026 | 14:14

Në kuadër të zbatimit të Planit të Punës së Komisionit për Çështje Normative të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për vitin 2026, nën kryesimin e Naim Abazi, u mbajt takimi i parë i Grupit Punues për Hartimin e Strategjisë për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi në Sistemin Prokurorial.

Në këtë takim mori pjesë edhe kryetari i Komisionit për Çështje Normative, Visar Krasniqi, i cili theksoi rëndësinë e këtij dokumenti strategjik për avancimin e funksionimit të sistemit prokurorial dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Gjatë takimit, Abazi prezantoi draftin fillestar të Strategjisë 2026-2028, si dhe matricën për ndarjen e detyrave konkrete ndërmjet anëtarëve të Grupit Punues.

Ai theksoi se procesi është gjithëpërfshirës dhe përfshin përfaqësues nga KPK-ja dhe prokuroritë e vendit, të organizuar në nëngrupe tematike që do të trajtojnë çështje kyçe si prioritizimi i lëndëve penale, koordinimi institucional dhe normativ, komunikimi me publikun dhe palët e interesuara, si dhe monitorimi dhe raportimi i zbatimit të strategjisë.

Po ashtu, anëtarët u informuan për mundësinë e organizimit të dy punëtorive, të cilat do të shërbejnë për zhvillimin e mëtejmë të draftit, së pari përbrenda grupit punues dhe pastaj përmes diskutimeve dhe kontributeve nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në përfundim, u theksua se Grupi Punues do të vazhdojë angazhimin intensiv për finalizimin e draftstrategjisë dhe organizimin e konsultimeve publike në muajt në vijim, duke siguruar një proces transparent dhe gjithëpërfshirës që synon të reflektojë nevojat reale të sistemit prokurorial dhe pritshmëritë e qytetarëve për drejtësi më të shpejtë dhe më efikase.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Hisen Berisha Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin…