“Era zgjedhje”, 31 maji dhe 7 qershori datat e mundshme, partitë të gatshme

22 prill 2026 | 21:16

Më shumë se asnjëherë në legjislaturën e 10, tani në horizont po shihen zgjedhjet e reja.

Për një garë të re, nga LDK- janë mëse të gatshëm.

“Partitë politike gjithmonë të gatshme për zgjedhje, si me i pyet ekipet e futbollit a janë të gatshme për futboll”, ka deklaruar Besian Mustafa, Deputet i LDK-së.

Po kaq të gatshëm për një proces të ri zgjedhor, është shprehur edhe një deputet tjetër i gjeneratës së re.

“PDK është partia me strukturat më stabile në vend, dhe marrë parasysh, jam i bindur se PDK është gjithmonë e gatshme për zgjedhje”, ka theksuar Artan Behrami, Deputet i PDK-së.

Në rast se nuk arrihet një konsensus për Presidentin, për çka ka pak gjasa, datat e zgjedhjeve, tanimë dihen.

“Në rast se nuk do ketë përfshirje të Kushtetueses me ndonjë lëndë, ekzistojnë dy data: 7 qershor dhe 31 maj, si datat e vetme kushtetuese”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

Por, cilado që të jetë data, diçka dihet me siguri: disa nga komisionerët që numëruan vota në zgjedhjet e fundit, tani zgjedhjet e reja potenciale, ka mundësi t’i presin në paraburgim. Ky precedent, pritet që të ketë jopak ndikim, në perceptimin publik.

“Me atë që ngjau në zgjedhjet e fundit, normalisht që do reflektonte në kuptim të pjesëmarrjes, por edhe vëmendjes së procesit të numërimit i cili në zgjedhjet e fundit, prodhoi qindra/mijëra vota preferenciale dallim”, ka deklaruar Eugen Cakolli, Instituti Demokratik i Kosovës.

Por, partitë, nuk presin që të kenë problem që të gjejnë komisionerë, që do ta marrin përgjegjësinë për numërim të votave.

“Ne kemi anëtarësi të gjerë, nuk kemi probleme të tilla, ata komisionerë që kanë bërë shkelje, do përballen me ligjin”, ka theksuar Besjan Mustafa, Deputet i LDK-së.

“Në demokraci, mësohet nga precedentët, nga rastet. Rastet që ishin së fundmi ndërpartiake. Andaj besoj që KQZ dhe partitë duhet të mësojnë nga situata, në mënyrë që të kemi zgjedhje të rregullta”, ka deklaruar Artan Behrami, Deputet i PDK-së.

Zgjedhjet eventuale, mund të evitohen veç nëse deri më 28 prill zgjidhet Presidenti apo Presidentja e Republikës së Kosovës./Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka reaguar…