Lushaku-Sadriu për Eliot Engelin: S’kishte lidhje gjaku me Kosovën, por zemra e tij rrihte në sinkron me ushtarët çlirimtarë
Shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka vlerësuar rolin e ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, duke e cilësuar atë si një zë të fuqishëm të lirisë së Kosovës në momentet më të vështira historike.
Ajo ka thënë se Engeli ishte një mbështetës i palëkundur i Kosovës, duke ngritur zërin në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në kohën kur vendi kishte më së shumti nevojë.
“Zërit të fuqishëm të lirisë sonë në momentet më të vështira të historisë së vendit tonë. Ku gjenocidi serb po sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Uashington, në Kongresin Amerikan. Ishte drita e kongresmenit Eliot Engel. Ai nuk kishte asnjë lidhje gjaku me Kosovën, ai s’kishte lindur as në Prishtinë, as në Pejë, as në Gjakovë, por zemra e tij rrihte në sinkron me dhimbjet e nënave tona, me nxënësit që mësonin shqip në shtëpi private, me ideatorët e shtetit të pavarur të Kosovës dhe ushtarët tanë çlirimtarë”, ka thënë ajo në Lushaku-Sadriu në Kuvend ku është mbajtur një seancë në nderim të jetës dhe veprës së kongresistit Engel, i cili ka ndërruar jetë para disa javësh.



