Mundësitë e Kosovës për riorganizimin e politikave për energjinë elektrike dhe kapitalizimin e rezervave të linjitit

24 prill 2026 | 11:42

Shkruan: Faton Hasani

Jemi dëshmitarë dhe tashmë e dimë problemin energjetik të Kosovës që nga paslufta e këndej. Janë trashëguar termocentrale të vjetra, në të cilat për plot 26 vite me radhë janë investuar shuma të larta nga qeveritë e kaluara, ndërsa investime të konsiderueshme vazhdojnë edhe sot për riparimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Këtyre u shtohen edhe donacione të shumta nga vendet mike, të destinuara për sektorin e energjisë elektrike.

Në këto rrethana gjeopolitike globale, energjia elektrike mbetet një sfidë e veçantë për çdo vend, përfshirë edhe Kosovën. Duke pasur parasysh se kapacitetet aktuale prodhuese nga termocentralet me linjit dhe burimet e energjisë së ripërtëritshme (BRE)  si era, uji, energjia solare dhe burime të tjera – janë të pamjaftueshme, si dhe duke marrë parasysh vjetërsinë teknike të termocentraleve ekzistuese, duhet të shqyrtohen seriozisht investimet në energjinë e pastër.

Investimi në burimet e energjisë së ripërtëritshme, si energjia solare, e erës dhe ajo ujore, do të mundësonte prodhimin e energjisë me kosto më të ulët dhe njëkohësisht do të përmbushte kërkesat e Bashkimit Evropian për largimin gradual nga prodhimi i energjisë me linjit dhe rritjen e pjesëmarrjes së energjisë së pastër në totalin e prodhimit.

Në këtë mënyrë, Kosova ka një mundësi ideale që të kapitalizojë një pjesë të rezervave të saj të mëdha të linjitit përmes shitjes, duke mos rrezikuar nevojat afatgjata të vendit. Aktualisht, ekziston një dritare e favorshme për shitjen e linjitit me çmime më të larta, për aq kohë sa termocentralet në rajon ende operojnë. Të ardhurat nga kjo mund të investohen në sektorë strategjikë, si ai i mbrojtjes, duke pasur parasysh sfidat gjeopolitike dhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Sipas statistikave, konsumi vjetor i energjisë elektrike në Kosovë është rreth 6–7 TWh, nga të cilat 70–80% prodhohen nga termocentralet (rreth 5.5 TWh). Rreth 11% e energjisë shpenzohet nga vetë termocentralet, ndërsa rreth 7.9% (afërsisht 0.55 TWh) vjen nga burimet e ripërtëritshme. Pjesa tjetër sigurohet përmes importit, i cili është i paqëndrueshëm dhe rritet sidomos gjatë sezonit të dimrit, kur kërkesa për ngrohje është më e lartë.

Ashtu si në rajon, edhe në Kosovë kanë shprehur interes shumë kompani të fuqishme nga Amerika, Turqia, Holanda, si dhe investitorë lokalë në partneritet me kompani ndërkombëtare, për ndërtimin e impianteve të mëdha solare. Një ndër projektet më të fundit, me kapacitet 100 MW, ende nuk është realizuar për shkak të pengesave të ndryshme.

Sa i përket investimeve, ndërtimi i një impianti solar me kapacitet prej 200 MW, pa përfshirë koston e tokës (blerje apo qira), vlerësohet të kushtojë rreth 105 milionë euro. Ky investim përfshin panelet solare, instalimin, transformatorët, pagesat e taksave dhe kyçjen në rrjet.

Një impiant i tillë, varësisht nga lokacioni, do të mund të prodhonte rreth 250 GWh energji elektrike në vit, që mjafton për furnizimin e rreth 58,000 familjeve, duke llogaritur një konsum mesatar prej 4,000 kWh në vit për familje.

Për realizimin e këtyre projekteve, është e domosdoshme liberalizimi i tregut energjetik, krijimi i alternativave të reja nga burimet e ripërtëritshme, si dhe aplikimi i politikave të favorshme për tërheqjen e investitorëve ndërkombëtarë. Gjithashtu, është e rëndësishme sigurimi i financimeve përmes kredive investive me kushte të favorshme dhe mbështetjes nga donatorët.

Duke pasur parasysh varësinë e madhe nga importi i energjisë elektrike me çmime të larta, sidomos në periudha krizash dhe paqëndrueshmërie globale, është në interes të shtetit dhe qytetarëve që të ndërmerren hapa konkretë për rritjen e prodhimit vendor dhe për kapitalizimin e rezervave minerare. Në këtë rast, shitja e një pjese të linjitit dhe investimi i të ardhurave në sektorë strategjikë do të ishte një zgjidhje e arsyeshme.

Në çdo rast, përfitimet do të jenë të shumëanshme për shtetin, qeverinë dhe qytetarët të cilët do të përfitojnë nga një furnizim më i qëndrueshëm dhe me kosto më të ulët të energjisë elektrike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës…