“A po bëni hajgare?” – Çitaku reagon ndaj qasjes së LVV-së për presidentin
Deputetja nga Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizja Vetëvendosje lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se nuk ka nevojë për diskutime nëse Kosova ka apo jo nevojë për këtë institucion.
Në një reagim publik, Çitaku u shpreh se çështja e presidentit është kushtetuese dhe shtetërore, dhe nuk mund të trajtohet si temë improvizimi apo debat i hapur politik.
“Nuk kemi nevojë të diskutojmë nëse Kosova ka nevojë për President apo jo. Kjo është çështje kushtetuese dhe shtetërore, jo temë improvizimi”, ka shkruar ajo.
Ajo shtoi se PDK ka qenë e qartë që nga fillimi dhe ka ofruar opsione konkrete për zgjidhje, ndërsa akuzoi LVV-në për mungesë serioziteti në këtë proces.
Sipas saj, veprimet e fundit të partisë në pushtet – nga takimet ndërkombëtare deri te qasja ndaj procesit – tregojnë mungesë vullneti për bashkëpunim.
“Nuk duan zgjidhje, por duan nënshtrim. Nuk kërkojnë konsensus, por prodhojnë krizë”, u shpreh Çitaku.



