Kush janë dy të propozuarat e LVV-së për presidente të Kosovës?
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.
Rushiti është themeluese dhe udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila së bashku me qendrën e saj më 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe nga një ligjvënës suedez.
Ajo e ka themeluar QKRM-në më 1999 me misionin për të ofruar trajtim dhe rehabilitim për viktimat e torturës në Kosovë. Kjo qendër po ashtu promovon respektimin e të drejtave të njeriut për të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë dhe të parandalimit dhe çrrënjosjen e torturës dhe të gjitha formave të keqtrajtimit.
Më 2018, Rushiti u nderua me Çmim për Guximin e Gruas të ndarë nga sekretari amerikan i Shtetit.
Çmimi iu dha për të nderuar ndikimin e punës së saj në jetën e të mbijetuarve dhe për rolin e saj si udhëheqëse në botë për avokimin për të drejtat e njeriut.
Ndërkaq, Hatixhe Hoxha po ashtu është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe në të kaluarën ka qenë ligjvënëse në Kuvendin e Kosovës.
Ajo është drejtoreshë e shoqatës AUTIZMI.
Kjo shoqatë organizon aktivitete të ndryshme që synojnë ndërgjegjësimin për autizmin, por edhe përfshirjen e personave me autizëm në shoqëri.
Deri më 2007, për dy mandate, Hatixhe Hoxha ishte deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ndërkaq LVV-së i ishte bashkuar më 2010, parti me të cilën kishte garuar për deputete.
Ajo po ashtu ka qenë ligjëruese në Univeristetin e Prishtinës më 2002-2003, në Fakultetin e Arteve./REL



