“E ke rrezikuar Albin Kurtin, ka thënë AKI-ja”, pse u largua nga puna shoferi i ambasadës në Zvicër?
“Ardian, mos shko në zyre në mëngjes, por hajde drejt te kafja përballë Migrosit, se e kam një muhabet me ty”, këtë mesazh ia dërgoi Mentor Latifi, ambasadori i Kosovës në Zvicër, shoferit të ambasadës.
Në këtë kafene, Ardian Durakut, mëngjesin e 9 shkurtit, iu dha lajmi për largim nga puna, me pretendimin se ka rrezikuar sigurinë e kryeministrit, Albin Kurti, në Forumin Ekonomik Botëror që është mbajtur nga 19-23 janar 2026 në Davos të Zvicrës.
Ani pse nuk i kishte treguar se për çfarë veprimi apo gabimi bëhet fjalë, këtë informacion, Ardiani pretendon se ambasadori i kishte thënë se e ka marrë nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencës.
Rahovecasi, i cili nisi punën si shofer/asistent i përgjithshëm më 1 shtator të 2025-ës, thotë se deri në ditën e largimit, më 9 shkurt të 2026-ës, nuk ka pasur kurrë asnjë vërejtje gojore apo me shkrim nga ambasadori, e as dikush nga stafi i ambasadës.
Për pretendimin e ambasadorit se gjoja se ai ka rrezikuar kryeministrin, Albin Kurti, Ardian Duraku kërkoi përgjigje edhe nga AK-ja, Ministria e Punëve të Jashtme, ambasadori, e edhe nga sekretari, por që asnjëra palë thotë se nuk i dhanë “xhevap”.
35-vjeçari paralajmëron se do të angazhojë avokat dhe do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për largimin e padrejtë nga puna.
I kontaktuar nga emisioni për këtë rast, ambasadori Mentor Latifi nuk ka pranuar që të flasë, duke thënë se Ardian Duraku nuk është larguar nga puna, por se, sipas tij, i ka kaluar koha provuese.
Ndërkaq, kur emisioni ia nisi pyetjet me shkrim, ambasadori ndryshoi përgjigje. Kësaj radhe, Latifi pohon se nuk i ka besuar më Ardianit që të punojë në ambasadë.
Për këtë rast, Kiksi ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në AKI e edhe në kryeministri, por që deri në transmetimin e kësaj kronike, asnjëra palë nuk ka pranuar përgjigje.



