36 vjet nga tubimi historik te ‘Verrat e Llukës’, Grabovci: Ky tubim tejkaloi dhimbjen dhe i dha shpresë një kombi të tërë
Sot (e premte) janë bërë 36 vjet nga aksioni i Pajtimit të Gjaqeve te “Verrat e Llukës”.
Adem Grabovci, një nga nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve, ka thënë se 36 vjet më parë janë bashkuar shpresa dhe guximi duke i dhënë shpresë kombit shqiptar.
“Ky tubim shënoi një hap vendimtar drejt unifikimit të popullit tonë, një proces që forcohej dita-ditës përmes pajtimit të gjaqeve. Ai krijoi parakushtet e domosdoshme dhe terrenin shpirtëror e shoqëror për lindjen e një force të re, që do të bartte mbi supe aspiratën shekullore për liri”, ka shkruar Grabovci në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Kanë kaluar 36 vite që nga ajo ditë e paharruar e 1 majit 1990, kur shpresa dhe guximi u bashkuan në një akt të rrallë njerëzor. Së bashku me nismëtarët e Pajtimit të Gjaqeve, rininë studentore dhe shumë bashkëveprimtarë të përkushtuar, organizuam tubimin historik për faljen e gjaqeve te Verrat e Llukës. Mbi 100 gjaqe, plagë e hasmëri u falën atë ditë; mbi 500 mijë shqiptarë u mblodhën si një trup i vetëm. Ky ishte epilogu i një ngjarjeje madhështore, që tejkaloi dhimbjen dhe i dha shpresë një kombi të tërë.
Si mund të ndjehet zemra që shtrëngon dorën e atij që i ka vrarë djalin, babain apo më të dashurin? Çfarë force mbin në shpirtin që prek atë dorë, e cila ka lënë pas jetimë, ka tharë buzëqeshje dhe ka mbuluar me lot sytë e nënave që mbetën pa zë, pa u thirrur më kurrë “Nanë”? Aty, në atë çast, dhimbja nuk zhduket, por shndërrohet në diçka më të madhe se vetja: në sakrificë për të ardhmen.
Motivi për liri është shtysa më e thellë e njeriut. Liria nuk është vetëm një gjendje; ajo është përjetim në tri përmasa: trupore, mendore dhe shpirtërore. Ata që synojnë të të pushtojnë e të të nënshtrojnë, gjithmonë kërkojnë plagën tënde të brendshme, sepse përmes saj thyhet më lehtë qëndresa, fillimisht fizikisht, e më pas edhe në mendje e në shpirt.
Prandaj përkushtimi ynë ishte i qartë: mbyllja e plagëve mes nesh, për të hapur rrugën e bashkimit. Sepse vetëm të bashkuar mund të ecet drejt lirisë.
Ky tubim shënoi një hap vendimtar drejt unifikimit të popullit tonë, një proces që forcohej dita-ditës përmes pajtimit të gjaqeve. Ai krijoi parakushtet e domosdoshme dhe terrenin shpirtëror e shoqëror për lindjen e një force të re, që do të bartte mbi supe aspiratën shekullore për liri.
Dhe kështu, si kurorëzim i përpjekjeve dhe sakrificave të gjeneratave të tëra, erdhi çlirimi, erdhi liria, pavarësia dhe shteti i Kosovës.



