DRENICA MYSAFIRIT I SHËRBEU ME ALFABET TË LIRISË

01 maj 2026 | 14:54


Ismet Sylejmani

Në drekën e shtruar nga Rapsodi e Kantautori mirditor e gjithëshqiptar Gjon Frroku në Lezhë, për nderë të dekorimit të Tij nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ku në atë drekë ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë së Lezhës Pjerin Nderu, Kryetari aktual i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, ish Zv. Kryeministri i Kosovës e ish- Kryetari i Klinës Ramë Manaj, ish-Këshilltari i Presidentes Osmani Ismet Krasniqi, ish Luftëtari i Njësisë Speciale të UÇK-së pranë Shtabit të Përgjithshëm Xhevdet Ibrahimaj etj., ishte i pranishëm edhe këngëtari i mirënjohur mirditor Paulin Përvathi!

Këngëtari Paulin Përvathi në nderim të të pranishmëve dhe të mikut të Tij Gjon Frroku, këndoi një këngë të jashtëzakonshme e cila në fokus të saj kishte vargjet për Arbërinë e Vogël, Drenicën e Azem e Shotë Galicës, të Hasan Prishtinës, të Shaban Polluzhës e Mehmet Gradicës, të Adem e Hamëz Jasharit, të Fehmi e Xhevë Lladrocit, se, “Drenica, në vend të kafes mysafirit, ia qet shkronjat e Manastirit!”

Në Drenicë mikpritja nuk ishte vetëm traditë, ishte dhe mbetet identitet i madh kombëtar i asaj krahine lavdimadhe të Atdheut!
Kjo thënie është një përkufizim i thelbit të kësaj treve!

Në vend të një kafeje të zakonshme, Drenica i ofron mysafirit atë që ka më të shtrenjtë, vetëdijen kombëtare, gjuhën, alfabetin, themelin mbi të cilin qëndron një popull!

Shkronjat e Manastirit nuk janë thjesht simbole grafike, ato janë akti i lindjes së gjuhës së një kombi që vendosi të flasë me një zë, të shkruajë me një dorë dhe të qëndrojë vertikalisht me një shpirt!

Në Drenicë, aty ku historia është shkruar me gjak, edhe shqipja dhe çdo shkronjë peshon më shumë!
Drenica është një mësim që lidhej drejtpërdrejt me ekzistencën, nëse humb gjuhën, humb gjithçka!

Drenica është simbol i një krahine lavdimadhe të Atdheut, që kurrë nuk pranoi të heshtte, por e ngriti zërin përmes flakës së pushkës për liri!

Drenica kur nuk mundi të fliste lirshëm, shkroi me shkronjat latine euroatlantike të Kongresit të Alfabetit të Manastirit!

Por atëherë kur nuk mundi të shkruante, luftoi që të mund të shkruante një ditë!

Prandaj, shkronjat e Manastirit në këtë thënie nuk janë vetëm kujtim i një Kongresi të Alfabetit, ato janë një testament i gjallë që vazhdon të jetojë në çdo brez!

Në kohët moderne, kur sfidat janë të tjera dhe më të sofistikuara, kur Gjuha Shqipe rrezikohet të mos flitet e shkruhet aty ku ka lindur, mesazhi i Drenicës mbetet po aq i fuqishëm, ruaje gjuhën, ruaje identitetin, sepse aty fillon dhe mbaron liria!

Mikpritja drenicare është e bukur, por më e bukur është kur ajo shoqërohet me dinjitet njerëzor dhe vetëdije të lartë kombëtare!

Drenica nuk i shërben mysafirit vetëm kafe, Ajo i shërben edhe me histori, edhe me alfabet, por dhe me shpirt liridashës e të panënshtruar!

Prishtinë, 1 Maj 2026!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar planifikimin buxhetor për zgjedhjet…