Besnik Kada: 27 vite kujtimi për dy djem të Vushtrrisë, heronjtë e Kosovës – Lumni Surdulli dhe Lutfi Musiqi
Shkruan: Besnik Kada
Kanë kaluar 27 vite kujtimi për dy djem të Vushtrrisë, heronjtë e Kosovës: Lumni Surdulli dhe Lutfi Musiqi, të rënë në betejat e mëdha të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Loxhë dhe në Koshare.
Gjatë luftës së Kosovës pata fatin të njoh qindra e mijëra luftëtarë të devotshëm të atdheut. I takova në ardhjen e tyre në luftë, në betim, në fushë të nderit dhe në çastet e triumfit. Një numër i madh prej tyre nuk arritën ta përjetojnë lirinë e Kosovës, sepse u bënë simbol i shtetit – siç do të thoshte Agim Ramadani – shtetit të quajtur Republika e Kosovës. Ata ranë në fushën e nderit anekënd Kosovës.
Sot më shkojnë ndërmend dy figura emblematike nga Vushtrria: njëri, ushtaraku i karrierës Lumni Surdulli, i rënë në Betejën e Loxhës; dhe tjetri, inxhinieri Lutfi Musiqi, i rënë në Betejën e Koshares – intelektual dhe shkencëtar i fushës së elektroteknikës, i shquar në komunitetin shqiptar në Angli dhe në institucionet ku punonte në Mançester.
Lumnin e kam njohur gjatë betimit të 21 qershorit 1998, në kuadër të formimit të brigadave të para të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, para Komandantit Suprem, kolonel Ahmet Krasniqi, si dhe kolonel Tahir Zemaj. Kur mora lajmin për rënien e tij, së bashku me Enver Alajn dhe Rrustem Bruqin në Betejën e Loxhës, u trishtova thellë – jo vetëm për humbjen e tre luftëtarëve model, por edhe sepse ata nuk do ta përjetonin lirinë e shumëpritur ndër breza.
Lutfiun nuk e kam njohur personalisht, por për të kam dëgjuar nga shumë bashkëluftëtarë. Sot kujtoj përvjetorin e rënies së tij në Rrasën e Koshares.
Ndërsa ishim në komandën e operacionit të luftës, së bashku me Agronin dhe Shiqerin, duke mbledhur të dhëna nga vijat e frontit, përveç lajmeve për fitore, merrnim edhe lajme të rënda për plagosje dhe rënie të luftëtarëve tanë. Nga një prej pikave më të ashpra të luftimeve, në Rrasë të Koshares, morëm lajmin për rënien e dy luftëtarëve: Lutfi Musiqi (18.12.1968, Vushtrri) dhe Rifat Kastrati (02.09.1968, Drenas).
Në atë kohë, oficeri Shiqer Maloku shpesh merrte mbi vete barrën më të rëndë – njoftimin e familjeve për humbjen e më të dashurve të tyre. Ndërsa po jepja emrat dhe Agroni të dhënat e kontaktit të familjeve, kur përmenda emrin e Lutfi Musiqit, reagoi oficeri Gani Begu, i cili kishte ardhur nga Anglia. Ai u trondit thellë dhe tha: “Çfarë po ndodh me këtë emër?” Kur i tregova se kishte rënë në Koshare, ai mbeti i shokuar – nuk e dinte që Lutfiu ishte bashkuar me luftën.
Më pas, Ganiu informoi edhe komandantët Rrustem Berisha, Anton Quni dhe Xhemajl Fetahu, si dhe njoftoi edhe Fisnik Ismailin, i cili e njihte Lutfiun nga komuniteti shqiptar në Angli. Dhimbja ishte e madhe – si për çdo luftëtar të rënë në fushën e nderit.
Sa herë vjen përvjetori i Betejës së Loxhës, më kujtohet figura e Heroit të Kosovës, oficerit Lumni Surdulli. Po ashtu, në çdo përvjetor të Betejës së Koshares, më del para syve figura e intelektualit dhe shkencëtarit, Heroit të Kosovës, Lutfi Musiqi.
Sot, në 27-vjetorin e rënies, kujtimi për Lutfi Musiqin dhe Rifat Kastratin mbetet i përjetshëm. Të dy ishin ende pa i mbushur 30 vjet dhe janë ndër 114 luftëtarët e rënë në njërën nga betejat më të mëdha shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore – në Kosharen legjendare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.




