IKShPK alarmon për pasoja nga ndotja e ajrit

03 maj 2026 | 08:26

Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha mjedisore dhe shëndetësore në Kosovë, ku ndër ndotësit kryesorë renditen termocentralet.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, sektori i energjetikës është përgjegjës për rreth 40 për qind të emisioneve ndotëse.

Instituti i Shëndetit Publik paralajmëron se kjo ndotje ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, duke rritur rastet e sëmundjeve respiratore dhe kardiovaskulare, si dhe shkallën e vdekshmërisë.

Profesionistët shëndetësorë theksojnë se çdo ditë përballen me pacientë që kanë probleme të frymëmarrjes, të lidhura ngushtë me cilësinë e dobët të ajrit, shkruan RTK.

“Sëmundjet e mushkërive paraqesin një prej sëmundjeve më të shpeshta në vendin tonë dhe njëri prej shkaktarëve kryesor është të këtyre sëmundjeve ne vendin tonë është pikërisht ndotja e ajrit, nëse ne mund ta kontrollojmë së paku nivelin e ndotjes kjo do të ndihmonte shumë në përmirësimin e kushteve edhe përmirësimin e gjendjes sa i përket sëmundëshmërise dhe vdekshmërisë të njerëzve në Kosovë”, ka thënë pulmologu Besim Morina.

“Ne jemi dëshmitar të asaj që kemi një gjendje të rënduar sa i përket ndotjes së ajrit, këtu kontribuon ndotja që vjen nga industria pastaj ndotja nga makinat, kemi edhe ndërtime të shumta që bëhen në qytetin tonë kështu që e bëjnë gati të pa mundur shmangien e pluhurit që krijohet nga to, e sidomos ajo që është shumë e shmangshme e që ne nuk e bëjmë është pirja e duhanit”, ka thënë Rushit Ismajli, specialist i mjekësisë familjare.

IKSHPK-ja ka kërkuar masa urgjente për përmirësimin e situatës sikurse monitorim në kohë reale të ndotjes, publikim transparent të të dhënave, kontroll të vazhdueshëm të filtrave dhe gjoba për tejkalim të normave të lejuara të ndotjes.

Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit deklaruan ditë më pare se po synojnë ta trajtojnë këtë çështje përmes hartimit të politikave dhe masave të reja të bazuara në projekte dhe bashkëpunime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ndeshjen e djeshme të Bundesligës gjermane mes Eintracht Frankfurtit…